Stafi i UKZ-së mori pjesë në simpoziumin me temë: “Zhvillimi i mësimdhënësve të rinj: Sfidat dhe e ardhmja”, në kuadër të projektit Erasmus Plus “Drejt një sistemi të orientuar në cilësi të përgatitjes së mësimdhënësve të rinj në Kosovë” QATEK, nën udhëheqjen e Fakultetit të Edukimit në Prishtinë. Qëllimi kryesor i simpoziumit ishte që të zhvillohet mundësia e debatit mes palëve kryesore (Fakultetet e Edukimit, Ministria e Arsimit), trajtimi i sfidave aktuale të sistemit të përgatitjes së mësimdhënësve të rinj dhe identifikimi i modaliteteve të adresimit të tyre në raport me realitetin aktual të sistemit shkollor. Debat është orientuar nga perspektiva e politikave arsimore dhe mekanizmave praktikë për ndryshim të realitetit.”
Fjalën hyrëse në simpozium, e mori Zëvendësministri nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Dukagjin Pupovci, i cili theksoi nevojat e domosdoshme të ngritjes së cilësisë në përgatitjen e kuadrove të mësimdhënësve, duke përmendur ndër të tjerash, konstatimet për cilësinë e dobët në arsimin parauniversitar, plakjen e popullacionit nga radhët e mësimdhënësve dhe në anën tjetër tepricën e mësimdhënësve e rënien e numrit të nxënësve si pasojë edhe të emigrimit.
Dekani i Fakultetit të Edukimit në Prishtinë, Blerim Saqipi, bëri një prezantim të disa statistikave dhe gjetjeve rreth trendit të interesimit për profesionin e mësuesisë, me fokus në vitin e sapofilluar akademik 2022/2023. Sipas statistikave të paraqitura, në Programin Fillor në Prishtinë, kanë aplikuar 325 kandidatë për 70 vende, kurse në Programin Parashkollor, 204 kandidatë për 60 vende; në Mitrovicë, në Fillor, 199 kandidatë kanë aplikuar për 40 vende, ndërsa nuk ka në Parashkollor; në Gjakovë, në Fillor, 67 kandidatë kanë aplikuar për 40 vende dhe 63 kandidatë për 30 vende, si dhe në Gjilan, përkatësisht në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, 123 kandidatë kanë aplikuar për 40 vende në Fillor, kurse 66 kandidatë për 30 vende në Parashkollor. Sa i përket diplomimit në Fillor, në vitin akademik 2017/2018, kanë diplomuar 118 studentë, në 2018/2019, 318 të diplomuar – viti me më së shumti të diplomuar në vjetët e fundit, dhe në periudhën 2019/2020, kanë diplomuar 221 studentë dhe 275 studentë të diplomuar në 2020/2021.
Më tutje, tek orientimi i programeve – analiza përmes projektit QATEK, u paraqitën disa konstatime si: mungesa e reflektimit të njohurive për të mësuarit, hulumtimi mbetet në nivel njohurish, numri i kufizuar i kurseve që trajtojnë zhvillimin e vlerave dhe atributeve, mungesa e trajtimit të zhvillimit të qëndrimeve (përkushtimit) ndaj mësimdhënies etj. Ndërsa u përmendën edhe sfidat specifike si: trajtimi ndryshe i zbatimit të teknologjisë, zhvillimet shoqërore, lëvizja nga qasja në mësim drejt orientimit praktik, inovacionit, integrimit lëndor, globalizimi, migrimi, interesimi në rënie për t’u bërë mësues etj.
Në simpozium kontribuuan në debat, dekanë, prodekanë, profesorë dhe asistentë nga katër Fakultetet e Edukimit në Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë dhe Gjilan, me pjesëmarrje aktive të stafit akademik dhe menaxherit të projektit të QATEK-ut nga UKZ. /2LONLINE/