Të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nga ora 20:00 do të zhvillohet derbi më i madh i vendit ai në mes të Gjilanit dhe Dritës.
Për arsye se stadiumi i qytetit të Gjilanit është në renovim, FFK u ka dhënë leje që ndeshja të zhvillohet në Prishtinë. Hera e fundit kur këto dy skuadra luajtën në kryeqytet ishte finalja e Kupës në vitin 2001, ku Drita triumfoi pas penalltive.
Në atë ndeshje stadiumi ishte i stërmbushur dhe atëherë kapaciteti ishte më i madh pasi nuk kishte ulëse. Kjo pamje e mrekullueshme e derbit lokal gjilanas mund të përsëritet në javën e 26-të të Ipko Superligës së Kosovës, pasi rivalët e vjetër do ta sfidojnë njëri tjetrin në fushën e blertë.
Të dyja ekipet janë jashtë synimeve për trofe, por kjo nuk ka rëndësi kur bëhet fjalë për derbin lokal. Ndonëse, me kilometra larg qytet, të kuqtë dhe të kaltrit pritet të sjellin atmosferën e zjarrtë edhe në kryeqytetin e Kosovës, adrenalinën dhe pasionin për futbollin.
Mbetet të shihet, por edhe kjo do të jetë një test për të dëshmuar më të mirën e dy tifozërive më aktive në vend, “Intelektualët” e Dritës dhe “Skifterat” e Gjilanit.