Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se së bashku me FFK-në janë duke analizuar për të rritur kapacitetin e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Përmes një shkrimi në Facebook, numri një i kryeqytetit tregon se stadiumi do të ketë një kapacitet prej 20.000 ulësesh.
Ky është njoftimi i tij:
Komuna e Prishtinës ka filluar diskutimet me Federatën e Futbollit të Kosovës për zgjerimin e kapaciteteve në stadiumin Fadil Vokrri, në tribunat lindjes, veriut dhe jugut. Gjatë javëve në vijim do të bëjmë analizat e nevojshme për të vlerësuar mundësitë që të kemi deri në 20 mijë ulëse në stadiumin e qytetit.
Po ashtu, punimet kanë vazhduar në stadiumin e ri në Hajvali të cilat në bashkëpunim me Federaten dhe financim nga UEFA do të jetë stadium i shkëlqyeshëm për disa nga ndeshjet e kategorive të ndryshme të përfaqësueses së Kosovës në futboll.
Është e qartë që futbolli Kosovar ka të ardhme të ndritur. Investimet janë të nevojshme edhe nga niveli lokal edhe qendror për të rritur rezultatet dhe për ti mundësuar sa më shumë njerëzve që të ndjekin lojet e shtetit tonë.