Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë sot në New York raportin mbi zhvillimet në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon, i cili në observimet e tij nënvizon se 2013-ta ishte ”një vit i progresit të konsiderueshëm politik falë një lidershipi dhe zotimi të Prishtinës dhe Beogradit, që kulmoi me marrëveshjen historike të 19 prillit”.
Ai e quan edhe një vit ”të progresit të rëndësishëm në zbatimin e marrëveshjes dhe normalizimit të marrëdhënieve”, transmeton RTK.
Takimi pritet të fillojë rreth orës tre pasdite, sipas kohës në New York, ndërkaq Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Hashim Thaçi. Raportin në emër të Sekretarit të Përgjithshëm pritet të paraqesë shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif, ndërkaq Serbia përfaqësohet nga kryeministri Ivica Daçiq.
Kryeministri Thaçi pritet të flasë për reformat e gjithëmbarshme në institucionet kosovare, në politikë, ekonomi dhe legjislacion si dhe konsolidimin e shtetit, ndërkaq duke reflektuar në dialogun e deritashëm në Bruksel, ai e quan atë ”një shembull për botën, ”për të shtuar më tej se ”implementimi i marrëveshjeve ka hyrë në fazën dinamike dhe të prekshme për qytetarët e Kosovës”.
Pas takimit, kryeministri Thaçi do të marrë pjesë në një mbrëmje me komunitetin shqiptar në New York ku do të shënohet dhe festohet 6 vjetori i pavarësisë së Kosovës, ndërsa do të udhëtojë më pas për në Bruksel ku të enjten vazhdon takimi i radhës në kuadër të dialogut.
Temë e diskutimit dhe harmonizimeve do të jenë modalitetet e integrimit në fushën e drejtësisë në përputhje me parimet e marrëveshjes së 19 Prillit.