Më 18 dhe 19 mars mbahet testimi i inteligjencës dhe njohurive të përgjithshme për rekrutët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes dhe Sigurisë së Kosovës.
Ministria ka bërë të ditur se testimi do të mbahet në pesë kazerma të qyteteve të ndryshme.
“Ministria e Mbrojtjes njofton kandidatët për rekrut (OR-1) në Forcën e Sigurisë së Kosovës, se Bordi Përzgjedhës ka vendosur që testi i Inteligjencës dhe Njohurive të Përgjithshme të mbahet më 18.03.2021 dhe 19.03.2021 në pesë kazermat e FSK-së: ‘Adem Jashari’ Prishtinë, ‘Skënderbeu’ Ferizaj, ‘Ushtarët e NATO-s’ Istog, ‘Minatori’ Mitrovicë dhe kazerma ‘New Born’ në Gjilan”, thuhet në njoftim.
Në ditën e testimit kandidatët duhet të kenë vete fletë dëshminë e aplikimit (numri unifikues personal), letërnjoftimin ose pasaportën si dokument identifikimi.
Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar nga kandidatët të paraqiten 15 minuta para kohës së orarit të publikuar, të kenë maska mbrojtëse kundërCOVID-19, dhe se gjatë testimit nuk lejohen telefonat, orët e mençura, kalkulatorët dhe çdo pajisje tjetër digjitale.