/Teatri i Qytetit – Gjilan/
E enjte | 14 nëntor | ora 20:00 | n’Teatrin e Gjilanit vjen shfaqja mysafire “Të gjashtët kundër Turqisë”
Prodhuar nga Qendra Multimedia
Nismë teatrore që eksploron degradimin e demokracisë dhe ngritjen e regjimeve populiste-nacionaliste dhe autoritarizmit në Evropë.
Krijuar nga një kolektiv ndërkombëtar teatror me artistë/e nga Kosova, Turqia dhe vende të tjera të BE-së
Autor: Jeton Neziraj / Regjia: Blerta Neziraj
Aktorë: Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpetim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi, Don Shala
PËR SHFAQJEN
Në vitin 2018, gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi. Lejeqëndrimet e tyre të lëshuara nga shteti i Kosovës u revokuan mbi argumentin e supozuar se përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Gjashtë burrat kërkoheshin në Turqi për shkak të gjoja lidhjeve të tyre me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohej nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Dhjetra e mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit janë arrestuar apo kanë humbur vendet e tyre të punës në Turqi që nga grusht shteti i dështuar. Shumica janë deklaruar të pafajshëm. Guleni e ka mohuar se ai dhe mbështetësit e tij janë prapa përpjekjes për rrëzimin e qeverisë së Erdoganit.
Kur televizionet në Kosovë dhanë pamjet e shtetasve turq të arrestuar, njerëzit pyesnin me të drejtë; si ishte e mundur që në një shtet demokratik, siç proklamonte se ishte Kosova, të ndodhte një rrëmbim i këtillë, mafioz, që sigurisht po kryhej me dijeninë dhe autorizimin e krerëve të shtetit. Rrëmbimi dëshmoi brishtësinë e institucioneve të shtetit në Kosovë, të cilat janë rob i hegjemonive politike e ekonomike të shteteve të fuqishme. Por incidenti është edhe një mësim për të gjithë ne: që autoritarizmi nuk është një ‘ishull i izoluar’, ai ka tendencë të kopjohet e importohet, mu siç ndodhte dikur me fashizmin. /2LONLINE/