Këngëtari Sokol Latifi, që ka interpretuar këngën “Zëri i atdheut” ka fituar çmimin e parë në Festivalin e Muzikës Popullore “Fest Flaka 2019”, që është mbajtur në kuadër të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2019”. Çmimin e dytë e ka fituar Rina Kurteshi, që ka kënduar këngën “Margjelo”, derisa e treta u radhit Elona Sadiku, që intepretoi këngën “Po m’rrah zemra”.
Festivalin e Këngës e ka hapur Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, i cili ka theksuar se është kënaqësi të kesh një orkestër dhe artistë të tillë që sonte performojnë dhe që me këtë festival e përmbyllin “Flakën e Janarit”.
Ky festival ka bërë emër te të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe nderon heronjtë, dëshmorët e martirët, të gjithë ata që sakrifikuan për ditët e bardhë të lirisë të shqiptarëve.
“Heronjtë mbeten drita dhe kujdestarë të kësaj lirie që ne të gjallët duhet t’i nderojmë dhe respektojmë. Njëzet vjetori i lirisë së Gjilanit është më i ri se “Flaka e Janarit”. Ne kemi filluar shumë herët dhe në bashkëpunim me Sabit Rrustemin e Hasan Bunjakun si bartës të institucioneve dhe vetë Beqir Musliu ia ka dhënë shpirtin këtij manifestimi e ne të tjerët kemi punuar, jemi angazhuar duke e mbajtur këtë manifestim”, ka thënë Lutfi Haziri, që ka shtuar se këtë ditë e shënojmë në rënien heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, u nderua Reshat Ymeri në përvjetorin e rënies, nderuam Skënderbeun, presidentin Rugova, Jonuz Muslun dhe shumë emra dëshmorësh e heronjsh e nderimi më i madh është vlera kulturore, “Talia e Flakës”, aktivitet i jashtëzakonshëm, “Pena e Flakës”, ku fitoi Rozafa nga Shkodra, “Peneli i Flakës” dhe shumë manifestime të tjera.
Haziri ka përshëndetur të pranishmit, sidomos zëvendësministrin e Turizmit nga Mali i Zi, por edhe të gjithë të tjerët, deputetët dhe ka paralajmëruar vendosjen e monumentit heroinë, kurse ka paralajmëruar edhe emërimin e autostradës me emrin e Agim Ramadanit dhe emërimin e Bibliotekës së Qytetit me emrin e Beqir Musliut.
Në programin artistik, kanë performuar këngëtarë mysafirë dhe 13 këngë konkurruese, kurse juria në përbërje Arben Asllanaj, Adhurim Rasimi dhe Arta Haziri – Nuhiu që kanë përzgjedhur më të mirët.
E mrekullueshme ishte edhe orkestra e drejtuar nga dirigjentja Florentina Rushiti – Bajrami.
Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit ka përmbyllur manifestimin “Flaka e Janarit 2019”.