Rreth 24 orë pas publikimit të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) – që e la në fuqi vendimin e UEFA-s për ta dënuar Kf. Skënderbeun për kurdisje të ndeshjeve – Skënderbeu ka reaguar fuqishëm, duke bërë të ditur se do të paraqesë ankesë në Gjykatën Federale të Zvicrës.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) bëri të ditur të premten e ka lënë në fuqi vendimin e UEFA-s, të marrë më 29 mars, që e shpalli fajtor Skënderbeun për disa ndeshje të kurdisura në Kupat e Evropës, duke e dënuar me 10 vjet mospjesëmarrje në garat evropiane dhe një gjobë prej 1 milionë eurosh.
Një vit më parë Skënderbeu kishte kërkuar nga CAS-i që të hiqej ky dënim, pasi që klubi shqiptar besonte se UEFA nuk kishte mjaftueshëm prova për ta mbështetur vendimin e tyre. Por, tentimi i tyre dështoi.
Skënderbeu ka reaguar fuqishëm ndaj këtij vendimi të CAS-it, duke e quajtur rastin e paragjykuar. Klubi korçar pretendon se CAS-i nuk i ka marrë parasysh mbi 50 kundërprova të tyre.
“Në keto kushte, me vetëdijen që beteja ligjore në këtë sistem drejtësie është e kotë, bëjmë me dije se, pas konsultimit me perfaqesuesit tanë ligjore, brënda muajit Korrik 2019, KF Skënderbeu do të paraqesë rekurs pranë Gjykatës Federale Zvicerane kundër vendimit të CAS datë. 12.07.2019. Duke qënë të bindur mbi pafajësine tonë, ruajmë besimin se e drejta do të vihet në vënd”.