Kosova do të tentojë që më herët të sigurojë kualifikimin për Evropian. Pas humbjes 5:3 nga Anglia, të martën në Southampton, Kosova ka dalë jashtë zonës që dërgon në “Euro 2020”. Ka rënë në vend të tretë në grupin A me 8 pikë.
Në vendin e dytë është ngritur Çekia me 9 pikë, pas fitores që e shënoi po të martën ndaj Malit të Zi me shifrat 3:0.
Ndërkohë, askush nuk e konteston që pozita e parë në grup do t’i takojë Anglisë, që ka fituar bindshëm katër ndeshjet e deritashme dhe prin me 12 pikë. Mali i Zi e Bullgaria i kanë nga 2 pikë dhe tashmë janë jashtë loje.
Kështu, gara në grupin A do të zhvillohet për pozitën e dytë në grup, me Çekinë dhe Kosovën si lojtaret e vetme per poziten e dyte.
Të dy përfaqësueset i kanë edhe nga tri ndeshje deri në fund të ciklit aktual eliminator.