Kreu i Vetëvendosjes në bashkëbisedim me socialdemokratët gjermanë

Kreu i Vetëvendosjes në bashkëbisedim me socialdemokratët gjermanë

“Nën organizimin e Aspen Institute dhe Friedrich Ebert Stiftung mbrëmë isha në panel me deputetin e SPD-së gjermane, Josip Juratoviq, nën moderimin e organizatorëve z.Daniel Reichart dhe znj.Valeska Esch. Para një audience të respektueshme, të përbërë nga politikanë, deputetë, diplomatë e ish diplomatë, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme dhe studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare, diskutimi u zhvillua sipas rregullave Chatham House”, ka bërë me dije Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka bërë me dije se pas prezantimeve 15 minutëshe u debatua hapur me të pranishmit mbi temat dhe çështjet e ndryshme, prej ndotjes së mjedisit te dialogu me Serbinë te vullnetarët e majtë që duan ta ndihmojnë Vetëvendosjen për fitoren me 6 tetor.

“Fjalimi im u përqendrua në zotimin tonë për luftimin e korrupsionit dhe krimit si dhe vetingun në prokurori, gjyqësor, polici dhe inteligjencë, për investimet e nevojshme në ekonomi që rrisin punësimin, për urëzimin e hendekut të shkathtësive duke lidhur sistemin arsimor me tregun e punës, për integrimet evropiane të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit perëndimor etj. Theksova që Kosova vetë nuk është problem, por se ajo ka shumë probleme. Se qeveria jonë do ta nxjerrë Kosovën nga kriza dhe do ta vendosë atë në binarët e zhvillimit, dhe, se për këtë kemi nevojë për ndihmën ndërkombëtare, e sidomos përkrahjen e BE-së e të miqve gjermanë”, ka thënë Kurti.

KOMENTE