Sindikata e Policisë së Kosovës ka dënuar ashpër sulmet terroriste në fshatin Banjskë në Zveçan në mëngjesin e të dielës, ku mbeti i vdekur rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa u plagos zyrtari policor Alban Rashiti.
“Sindikata e Policisë së Kosovës është duke përcjellur nga afër zhvillimet e ditës së sotme dhe dënon ashpër sulmet terroriste që po i bëjnë grupet kriminale ndaj shtetit tonë”, thuhet në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, nga grupe kriminale e terroriste të organizuara , në Veri të vendit, është sulmuar Policia e Kosovës, me ç’rast ka mbetur i vrarë Rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe është plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti.
Sindikata e Policisë së Kosovës i shpreh ngushëllime familjes së ngushtë, miqve dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, kurse policit të lënduar i urojmë shërim të shpejtë.
Sindikata e Policisë së Kosovës është duke përcjellur nga afër zhvillimet e ditës së sotme dhe dënon ashpër sulmet terroriste që po i bëjnë grupet kriminale ndaj shtetit tonë.
Policia e Kosovës është duke vepruar sipas autorizimeve ligjore dhe Kushtetuese në mbrojtje të integritetit të Republikës së Kosovës.
Sindikata e Policisë së Kosovës