Për 20 e më shumë vite jemi dëshmitarë të skenës politike në Kosovë me gjithë ngritjet, uljet, skandalet, opozitarizmin e dobët, opozitarizmin e mirëfilltë etj. Në shumicën e rasteve kanë munguar reflektime, dhe analiza të mirëfillta me tri pyetje primare: Si? Pse? Ku?
Shkruan: Bekim Thaqi
Analiza SWOT apo në gjuhën shqipe analizimi i përparësive, mangësive, mundësive dhe kërcënimeve duhet të jetë prioritet si i partive opozitare por edhe qeverisë por meqenëse qeveria ka pak ditë që ka marrë pushtetin ka kohë në muajt në vijim të bëj këtë analizë.
Fillimisht opozita duhet të shqyrtojë idetë dhe targetet e saj se në cilat pika dëshiron të angazhohet, kritikojë dhe atakojë qeverisjen në mënyrë që të nxjerrë në pah ndonjë gabim, lëshim, apo keqpërdorim të mundshëm.
Mënyra se si ka filluar të bëhet opozitarizmi me inate, ndërskamca, përmendje të rasteve të mëparshme dhe dilemave si dialogu, demarkacioni, aferave të ndryshme që tashme janë shtjerrë janë mu çështjet që opozitës së dikurshme ja kanë mundësua ardhjen në pushtet dhe tashmë as nuk është produktive e as nuk është e dobishme të merret me çështjet e tilla qysh në start të qeverisjes së re.
Kjo do të thotë që opozita duhet të bëj reflektim dhe të kuptojë fillimisht faktorët të cilët e sollën opozitën e dikurshme në pushtet, gabimet që janë bërë vite me radhë nga vetë këta që tashmë janë në opozitë, çfarë munden me pas si pika të forta, cilat janë ato që s’duhet me u përmend( pasi vetë kanë qenë kontribuues të gjendjes në masë të madhe) mundësitë për të gjetur tema të reja në premtimet që ka bërë qeveria e re në fushatë e kështu me radhë.
Opozita duket se po vepron pa analiza, pa reflektim, në stilin ” Tu pa tu bo”, bazuar vetëm në raportime të mediave dhe portaleve, e pasinkronizuar fare mes vete por edhe në sinkronizim partiak, pasi ka reagime individuale nga zyrtarë të partive pa ndonjë plan ose strategji partiake por vetëm sa për tu dukur se po bëjnë diçka me synim. rejtingun në parti.
Kjo mënyrë vetëm e dobëson opozitën dhe vendos qeverinë në pozitë më komode pasi opozita asnjëherë nuk qëllon në shenjë por merret me çështje sporadike dhe periferike.
Opozita duhet të dalë edhe në debate me njerëz brenda partisë e që janë shumë të pakënaqur, ti dëgjojë ata, të dëgjojë hallet e shoqërisë e jo vetëm të vajtojë humbjen dhe të sulmojë pa sinkronizim fare e që kjo sjell kundërefekt edhe më të madh te shoqëria kosovare. /2LONLINE.com/