Më ka rënë të lexoi se filozofi dhe shkrimtari francez Albert Kamy kishte thënë: “Aq shumë e dua kombin tim francez sa, ndonjëherë kam frikë në mos jam nacionalist”.
Shkruan: Gani NEZIRI
Ndërsa, në Katedralen e Zagrebit brenda në ballinën e altarit të Kryepriftit historik kroat Allojz Stepinac (ndër heronjtë më të mëdhenj kroat) kam lexuar thënien e tij madhështore tek shkruante; “Papën e dua shumë por, besimin katolik edhe më shumë. Por ama, mbi të gjitha, e dua popullin tim kroat”. (Mund të jetë me vërejtje të vogla përkthimi im).
I mora dy shembuj nga ata që mu kujtuan këtë moment për të bërë krahasimin e mundshëm për dashurinë ndaj atdheut.
Nuk e di nëse ka masë për matje të dashurisë ndaj atdheut!
Veçse, i njohë disa nga shokët e mi që dashurinë për atdheun duket se e kanë kulmore edhe pse e vjedhin atë me krejt mundësitë e tyre që kanë. Nuk lanë vrimë pa kontrolluar dhe nuk lanë mjet pa përdorur për ta vjedhur kudo që mundin e si mundin.
I njohë dhe disa të tjerë nga shokët e mi që, duke dashur të tregojnë publikisht se atdheun e duan pa masë ndonjëherë edhe e kallin flakë. Krejt kjo “nga dashuria” për të. Pikërisht si ata vëllezërit që nga dashuria e madhe për nënën në përqafim e kanë shtrënguar fort deri sa i kanë zënë frymën për vdekje.
Pastaj, njohë dhe disa të tjerë nga miqtë e mi që kurrë asgjë konkrete nuk bënë për atdheun, ama bash asgjë. Lodrojnë lirshëm mbi kurrizin e tij se askush nuk u prish terezinë. I ngjasojnë breshkës. Në fjalorin publik janë të urtë e të butë sa të duket që as buburrecat nuk i shkelin. Ndërsa në veprime për interes të ngushtë partiak absolutisht janë të fortë si samari i breshkës . Por që “dashurinë e tyre atdhetare” përpiqen ta tregojnë duke i sulmuar me plotë të drejtë (pa thonjëza) dy grupimet e para “atdhetare”.
Pra, çështja është si ta duam atdheun?! Për ta vjedhur, për ta kallur apo për të lodruar mbi kurrizin e tij me pa përgjegjësi pa dhënë asgjë për të?!
Në fund shtrohet pyetja: A ka grupim të katërt këtu që do të qeveriste ndërgjegjshëm?!
Unë them se ka, por fatkeqësisht vet popullit po i pëlqejnë ata që nuk e rruajnë shumë për popull.
Po presim e të shohim, deri kur vet populli të vetëdijesohet për të zgjedhur grupimin e katërt. /2LONLINE.com/