Më 31 tetor të vitit 2018, qe mbajtur seanca e dhjetë e Kuvendit komunal, e cila u pat karakterizuar me shkelje ligjore qysh në fillimet e saj, duke futur 3 pika të rendit të ditës, të cilat nuk kishin kurrfarë urgjence. Dhe kjo kërkesë qe bërë pikërisht me kërkesë të Nënkryetarit të Komunës, i cili pat kërkuar mirëkuptim ( kupto që ta shkelim ligjin).
Shkruan: Nevzad Isufi
Ato pika ishin:
1. Inicimi për ndryshimin e Rregullores për Këshillat e Fshatrave dhe Lagjeve Urbane,
2. Raporti i komisionit për riorganizimin e rrugës “Marie Shllaku” dhe rrugëve tjera në qytet,
3. Propozimi për ndarjen e lokacioneve për materialet e ngurta (inerte).
Natyrisht atëherë, nënkryetari i komunës bashkë me anëtarët tjerë të kuvendit (shkelësit e rgullores së kuvendit) që ishin shumicë, u pajtuan-pranuan, ndërsa ne opozita, që nuk u pajtuam të kemi “mirëkuptim” për shkeljet dhe nuk mundëm të durojmë “mirëkuptimin” për shkeljet ligjore, lëshuam seancën.
Shkaku pse i po i kthehemi kësaj seance, është fakti se pasojat e këtyre shkeljeve, që nga kjo kohë po i vuajnë qytetarët.
Pra në seancën e dhjetë të 31 dhjetorit të vitit 2018 pozita, duke mos ofruar asnjë material, plan, e elaborat, duke mos respektuar ligjin qëllimshëm, futi në rend dite pikën-çështjen; Propozimin për ndarjen e lokacioneve për materialet e ngurta (inerte).
Drejtori i DUPMM me dy- tri fjali pat thënë se vendi më i përshtatshëm për këtë deponi, është një vend në fshatin Kmetoc dhe se aty do të bëhej zgjidhja për 30 vjetët e ardhshme. Dhe me kaq ishin mjaftuar anëtarët e pozitës, për të marrë një vendim, i cili që nga kjo kohë nuk do të zbatohet, por do të mbetet vetëm një letër e pa vlerë, por që pasojat e veprimet në teren, po u sjellin shumë dëme e kokëçarje banorëve apo qytetarëve të fshatit Kmetoc.
Ndonëse propozuesit na befasuan në Kuvend, me këtë propozim për deponinë, ata ishin kujdesur që paraprakisht në fshat të dërgonin ndonjë “misionar”, i cili ishte kujdesur që t’ua mbush mendjen ( me ndonjë seleksionim të përshtatshëm) banorëve, se si kjo deponi do të jetë edhe në dobi të tyre, sepse do të mbushej një grope paraqise rrezik e që dikur kishte qenë gurthyes e do të rregullohej tereni, në mënyrë që të pranonin një propozim të tillë.
Siç ndodh zakonisht, japin premtime se do ta udhëheqin mirë këtë deponi, se do të ketë mbikëqyrje të përhershme, se ato materiale ndërtimore që do të hidhen nuk janë të dëmshme, se do të ketë një eskavator të përhershëm i cili rregullon dhe rrafshon terrenin, se do të ketë roje, se do të ketë qasje në deponi përmes një rruge tjetër enkas, për të mos penguar banorët e fshatit etj., etj.
Por cila është gjendja e kësaj deponi, e cila është përskaj shtëpive të banimit të banorëve të fshatit Kmetoc, e ngjitur me tokat – arat e tyre, pas më pak se një viti e gjysmë?
Fotografitë më poshtë e ilustrojnë këtë;
Për fat të keq, asnjë nga premtimet e lartpërmendura nuk janë plotësuar. Siç edhe tregojnë fotografitë e mësipërme, kjo deponi, fare pak ka mbeturina të ngurta, e ka të gjitha llojet tjera të mbeturinave; plastike, gome, tekstile e çka jo tjetër. Nuk ka eskavator që rrafshon terrenin, nuk ka roje. Pra, këtu ngjitur me fshatin kemi një deponi “universale”, me të gjitha llojet e mbeturinave. Askush nuk mbikëqyrë këtë deponi me materiale të ndryshme të dëmshme, një pjesë e të cilave, sidomos ato plastike, janë të tilla që shpërndahen nga erërat, në gjithë hapësirën, nëpër oborre shtëpish, nëpër ara e deri te pylli.
Pos kësaj, edhe kalimi i kamionëve të mëdhenj, që rrezikojnë edhe këmbësorët ( sepse rruga nuk ka trotuar), duke lëvizur pran shtëpive shkaktojnë zhurmë e ngritje të pluhurave, të cilat krijohet nga pjesa e rrugës së dheut, duke shkretëruar gjithçka. “Para një kohe dikush ka ndezur mbeturinat, dhe përkundër intervenimit të zjarrfikësve, tymrat helmuese e kundërmuese kanë vazhduar me ditë të tëra” – thotë një banor që ka shtëpinë aty afër.
Banorët janë të lodhur, mërzitur e të zhgënjyer me këtë gjendje dhe vështirësitë e dëmet e përditshme, që po u shkaktohen nga kjo deponi. Rruga e ngushtë, ndonëse nuk ka kohë të gjatë që është asfaltuar, është dëmtuar nga peshat e mëdha të kamionëve të ngarkuar. Shtrohet pyetja; pse banorët do të duhet të durojnë të gjitha këto të këqija të shkaktuara nga vendimet e pa zbatueshme të komunës, nga papërgjegjësia e drejtorive të komunës në dëm të qytetarëve të saj? Është papërgjegjësi e katër drejtorive njëkohësisht. Sipas vendimit të Kuvendit komunal, pika 6 e tij, përgjegjëse për menaxhimin e kësaj deponia janë; Drejtoria e Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Drejtoria e Gjeodezisë e Kadastrit, Drejtoria e Inspeksionit dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike.
Pra, asnjë nga veprimet e parapara të pikës 3, 4 dhe 5, të vendimit të lartpërmendur, nuk janë zbatuar nga përgjegjësit që janë përmendur në pikën 6 të këtij vendimi.
Pra, kemi dështim të plotë të këtyre katër drejtorive komunale në menaxhim të të ashtuquajturës “Deponi e mbeturinave të ngurta”.
Qytetarët tërheqin vërejtjen, se nuk do të tolerojnë, që kjo të vazhdojë edhe më tutje. Ata thonë se nëse nuk ndërmerren masa, sipas premtimeve dhe në zbatim të pikave të vendimit të komunës, do të bllokojnë rrugën dhe nuk do të lejojnë të qarkullojnë asnjë automjet transportues për në këtë deponi. Sepse sipas premtimeve të komunës, rruga për në këtë deponi ka qenë e paraparë që të hapet enkas, më larg shtëpive të lagjes, e jo të kaloj midis tyre. Kjo është deponi e të gjitha llojeve të mbeturinave, e jo e materialeve të ngurta ndërtimore.
Nevzad Isufi – kryesues i anëtarëve të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje!