DYLON

Opozitarizmi i një Kryeministri dhe Pushteti i një Opozite

Opozitarizmi i një Kryeministri dhe Pushteti i një Opozite
Avatar photo Redaksia

Nga: Faton BISLIMI

Dimri i vitit 2025 është afati i rregulltë për zgjedhje parlamentare në vend. Po ashtu, vjeshta e të njejtit vit është afati për zgjedhjet e rregullta lokale. Pra, 2025 është një vit thuajse komplet i ngërthyer në fushata e zgjedhje. Me fjalë tjera, është vit totalisht i humbur sa i përket përkushtimit ndaj politikave zhvillimore në cështje kogja kruciale për qytetarët si arsimi, shënetësia, etj.

EkoHigjiena

Debati i shumicës qeverisëse dhe opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare këtë vit duket të jetë vetëm se një flirtim politik. Në njërën anë, oferta e Kryeministrit për të shpërndarë paralementin dhe për të shkruar në zgjedhje këtë vit paraqet një lloj opozitarizmi të llojit të vet nga ana e atyre që qeverisin me vendin, dhe në anën tjetër, këmbëngulësia e opozitës se duam zgjedhje tash por vetëm përmes dorëheqjes së Kryeministrit e jo përmes shpërndarjes së Parlamentit, përket me ruajtjen e pushtetit të opozitës.

Thënë shkurt e shqip: Kryeministri po i thotë opozitës – ‘lëreni ju ulset tuaja të pushtetit në Parlament pasi po synoni ulsën time dhe po dalim po matemi tek populli, gjerësa unë po e mbaj ulësen time’; kurse opozita po i thotë Kryeministrit – ‘lëre ti pozitën e pushtetit dhe po dalim po matemi tek populli, gjerësa ne po mbajmë pozitat tona në Kuvend.’ Kjo është një dikotomi që lehtazi zgjidhet nga pala që ka vullnet e gatishmëri të sinqertë për zgjedhje.

Parlamenti dhe prania e tyre në të është pushteti kryesor që ka opozita sot. Ata s’po duken të gatshëm të lënë këtë pushtet për të shkuar në zgjedhje duke e sfiduar Kryeministrin me vet ofertën e tij për të shpërndarë paralementin. Ky standard i shprehjes së kërkesës publike për zgjedhje dhe i mosveprimit institutcional brenda Parlamentit për të shpërndarë atë dhe për t’u siguruar se zgjedhjet duhet te mbahen së shpejti, mund ta ruajë pushtetin parlamentar të opozitës edhe pak muaj, por e dëmton thellësisht kredibilitetin e tyre përballë publikut. Ky mosveprim i opozitës i shkon për shtati më së shumti vet Kryeministrit të vendit.

Ideja se opozita fiton me shumë nëse Kryeministri jep dorëheqje e si pasojë vendi shkon në zgjedhje është e pabazë. Së pari, tanimë është bërë e qartë se Kryeministri nuk jep dorëheqje. Së dyti, opozita nuk i ka numrat për ta shkarkuar qeverinë përmes një mocioni mosbesimi. Së treti, edhe i dorëhequr, ky Kryeministër e kjo qeveri do të qëndronin në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare. Nuk është se do krijohej një qeveri teknike apo dicka e ngjashme, ashtu që opozita të ndjehej më komod dhe ndoshta më e barabartë në garën për zgjedhje nacionale.

Prandaj, të kërkohen zgjedhje e të insistohet se këto duhet të ndodhin vetëm përmes dorëheqjes së Qeverisë është një “logical fallacy” e llojit të vet. Nëse realisht opozita dëshiron zgjedhje, opozita s’do duhej të humbiste as edhe një minutë por të thërriste seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit me një pike të rendit të dites: shpërndarjen e Kuvendit. Vetëm me këtë veprim institucional, opozita do dilte ballëhapur para publikut duke iu treguar atyre se opozita është e gatshme të lë pushtetin e vet (pra ulëset në Kuvend), për të shkuar në zgjedhje.

Ky veprim do ishte sfidë reale për Kryeministrin dhe LVV-në. Ata do kishin dy opsione para vetës: të votonin me opozitën për të shpërndarë Kuvendin dhe për të cuar vendin në zgjedhje, apo të mos përkrahin këtë mocion e të dilnin lakuriq në bllofin e tyre për kinse gatishmërinë e tyre për zgjedhje tash! Humbja politike në këtë sfidë do i faturohej LVV-së. Mobilizimi tek kampi opozitar do rritej bashkë me besimin se “LVV po frigohet” e kjo lloj ndjenje në politikë është përbërës kyc për të ndezur shpirtin e fitores.

Nëse opozita nuk e ndërmerrë këtë hap, ajo e ndjellë ndjenjën disfatiste tek elektorati i saj dhe e shuan shpirtin fitimtar tek entuziastët më të mëdhenj të vet. Ngase, ky mosveprim institucional i opozitës që nga pozita lehtazi do përkthehej si frigë nga zgjedhjet, e frymëzon edhe më shumë bazën e LVV-së.

Kosovës i duhet rigjenerim politik. Rikëndellje politike. Ajo arrihet vetëm kur sfidës zgjedhore nuk i frigohen ata që mbajnë kolltuqet e të parëve – qoftë ne pozitë e qoftë në opozitë. Riafirmimi apo ndëshkimi nga vota e popullit në zgjedhje të lira e fer është themel i demokracisë. Kosova, fatmirësiht, këtë themel e ka mjaft të fuqishëm, e mbi të mund të ndërtojmë qeverisjen që ka nevojë ky vend e ky popull, sa herë që është nevoja. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.