Shkruan: Arbresh Salihu
Bota e civilizuar demokratike për çdo ditë po ec me hapa të mëdhenj drejt prosperitetit në çdo lëmi të shkencës, kulturës e sportit, ndërsa shteti i Kosovës merret ende me akuza e kundër akuza ndaj njeri tjetrit, duke lënë në mëshirë këtë popull të përvuajtur me shekuj.
Dikur, qyteti i Gjilanit, krenohej me stadiumin e tij, madje ia kishin zili shumë klube të Rajonit, por fatkeqësisht ky stadium tanimë nuk ekziston. Paramendoni, ky stadium kishte marrë mirënjohje speciale për mirëmbajtjen e kualitetin e tij – plot para 45 viteve nga Federata e ish-Jugosllavisë, ndërsa sot këtë stadium e frekuentojnë bagëtitë e narkomanët.
Derbi në mes, Dritës e Gjilanit, para lufte zhvillohej në livadhet e fshatit Malishevë , populli i Gjilanit në këmbë me traktorë e ndonjë veturë shkonin për ta përcjellë këtë derbi në kushte të okupimit dhe askush nuk kishte frike, madje ishin krenar që qyteti i Gjilanit kishte një derbi me përmasa Rajonale e Evropiane.
Dikur u thyenin edhe dyert e stadiumit për të përcjellë këtë derbi, u ndanë edhe familjet – vëllai me vëllamë, motra me motër, miku me mikun e shoku me shokun, ishte një rivalitet sportiv që na kishin lakmi i gjithë opinioni sportdashës, po ashtu edhe televizionet e gazetat evropiane filluan të shkruanin e ta përcjellin këtë derbi gjilanas.
Tifozët “Intelektualët” e “Skifterët”, para derbit me net të tëra rrinin në shkallët e stadiumit për tu përgatitur për këtë duel të zemrës së tyre, harxhonin me mijëra euro për fishekzjarrë, flamuj e koreografi të ndryshme, të cilët i shpalosnin në derbi duke bërë befasira të ndryshme.
Sot, në vitin 2024, derbi është bërë një ndeshje e rëndomtë, ku as 1 000 shikues nga 15,000 mijë sa ishin më herët nuk janë prezent, mungojnë flamujt e fishekzjarrët, mungojnë hijeshia e derbit tifozë “Intelektualët” e “Skifterët”, prandaj është për të ardhur keq të jesh në këtë derbi sot pa asnjë ndenjë të derbit.
Qyteti i Gjilanit ka humbur bukurinë e saj pa derbin e mrekullueshëm të cilin e kishim njerëzit, ku kanë qarë si foshnje për të mirë e për të keq për rezultatet e klubeve të tyre, kishte raste kur tifozët e flakët të dy skuadrave vinin nga shtetet perëndimore për ta përcjellë këtë bukuri të derbit, por tani gjithçka duket se po venitet.
Dy klubet, i larguan nga fusha duke ju premtuar se shumë shpejt do të rregullohet stadium, por ky ishte vetëm një “iluzion” i njerëzve përgjegjës të sportit e politikës, u premtuan e u caktuan edhe data por edhe këto dështuan, u ndërruan projektet e stadiumit, u ndërruan edhe shumat e milionave të stadiumit dhe askush nuk dha as më të voglën përgjegjësi duke u tallur me klubet e qytetarët e Gjilanit.
Sot, stadiumi i qytetit në Gjilan ka mbetur një ‘gërmadhë’ pa rrugëdalje, pa kurrfarë shprese duke i dëmtuar klubet me mijëra euro, duke i dëmtuar pronarët e klubeve të cilët po ndajnë kafshatën e bukës për futbollin Gjilanas e Kosovar, kjo nuk është e drejtë dhe historia kurrë nuk do t’na falë këto gabime skandaloze të cilat po i bëjnë politikat ditore.
Qytetarët e Gjilanit, tifozët “Intelektualët” e “Skifterët”, nuk ju mbetet gjë tjetër përpos t’i përkujtojnë ditët e derbit kur dikur gjithçka ishte madhështore, ose mund edhe të protestojnë së bashku me klubet e tyre për t’ia kthyer dinjitetin derbit gjilanas. /2LONLINE/