Sami ARIFI
Meqë Lufta e Parë Botërore kishte ndryshuar raportet e Fuqive të Mëdha nga se ishin përjashtuar Fuqitë e deri djeshme Austro-Hungaria dhe Gjermania si dhe ishte vet-përjashtuar Rusia e cila sipas Revolucionit të Tetorit ishte kthyer në Bashkim të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), pra në këto rrethana me paraqitjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë në të (në Fuqitë e Mëdha), skena evropiane ishte kthyer në skenë botërore, ndryshim ky që kishte rëndësi jashtëzakonisht të madh për zhvillimet e ardhshme, dhe se fjalën kryesore do ta marrin amerikanët.
Pra, Uillson (W. Willson) i përvijoi në idetë e tij 14 pikat e janarit të vitit 1918, që patën një jehonë të madhe sepse ngjallën shumë shpresa sidomos te popujt e vegjël në Evropë, duke përfshirë edhe shqiptarët. Prandaj, këto ishin paraskena dhe lojëra të tjera të Fuqive të Mëdha evropiane në kurriz të shqiptarëve.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Uillson do të urdhëroj që çështja shqiptare të ndahet nga ajo e Adriatikut me çka Romës, Beogradit, Athinës, po edhe të tjerëve iu bëhej me dije se Shqipëria nuk lidhej me problemet që preokuponin interesat e Italisë dhe të Francës në Adriatik, siç ishin ato me tërheqjen e vijës së kufirit midis Italisë dhe Jugosllavisë së Versajës, ku Roma merrte një pjesë të mirë të bregdetit që kishte qenë në përbërje të Austro-Hungarisë, ndërkohë që në këtë pako duhej të zgjidheshin edhe marrëdhëniet e Greqisë me Italinë.
Presidenti Uillson që në fillim me hyrjen në luftë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në anën e Antantës, ai pos tjerash pati deklaruar se SHBA-të nuk do të njohin Traktatet e Fshehta që kishin bërë shtetet për zgjerimin e tyre territoriale në këtë rast shtetet fqinje kundrejt Shqipërisë.
Pra, qëndrimi i amerikanëve ishte që çështja shqiptare të ndahet nga ajo e Adriatikut, me këtë do të mbrohej shteti shqiptar që mos të bëhet pre e copëtimeve të mëtutjeshme serbe, greke, malazeze, ushtritë e të cilëve edhe më mbanin një pjesë të tokave shqiptare të pushtuara brenda Shqipërisë, meqë e dinin se tashmë s’ishte Austro-Hungaria që t’iu jepte ultimatume për tu tërhequr prej aty, prandaj kishin zgjedhur metodat e zvarritjes, që fakteve të kryera me dhunë t’iu jepnin legjitimitet.
Prandaj, mund të themi se pozicioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës qysh në fazën e luftës ishte një pozicion historik, pra, Uillsoni, presidenti i SHBA-ve do të paralajmërojë për heqjen e shqiptarëve dhe çështjen e tyre nga pazaret e fshehta si ishte Traktati i Londrës i vitit 1915 dhe marrëveshjet e tjera të kësaj natyre që do të ketë me bollëk midis Fuqive të Mëdha evropiane në garë për përfitimin e vendeve të Ballkanit në anën e tyre, ku Shqipëria dhe hapësira shqiptare në përgjithësi shihej si mall për kusuritje të pashmangshme.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Fuqitë e Mëdha fituese jo vetëm që si morën në konsideratë kërkesat e drejta të shqiptarëve në Konferencën e Paqës në Versajë, për t’i korrigjuar padrejtësitë, gabimet që u kishin bërë në të kaluarën, por që donin edhe më tej copëtimin e territoreve shqiptare, duke i’u plotësuar apetitet e shteteve fqinje si: Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Italisë, po të mos ishin në këtë Konferencë si pengesë e tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prandaj së fundi mund të konkludojmë; se qëndresa e shtetit shqiptar dhe e shqiptarëve në ngjarjet historike ishte më pak në duart e veprimeve të tyre, e më shumë në duart e Fuqive të Mëdha! SHBA-të e ndihmuan qëndresën e shtetit shqiptar! Ndërsa ne tani duhet ta respektojmë mikun, dhe ta ndihmojmë vetveten që të qëndrojmë në këmbë, të lirë, përball armiqve shekullor…