Tranzicioni në vendet e pazhvilluara, është dukuri problematike në vete. Aq sa është problematike po aq është edhe komplekse sepse ka të bëj me mënyrën e të menduarit politik dhe vullnetin për të ecur përpara, pa ndasitë personale, inatet e shantazhet të cilat mjerishtë aludojnë në një papjekuri politike.
Shkruan: Arbër R. Ismajli
Në këtë kompleksitet, bëjnë pjesë patjetër edhe angazhimet tejet konkrete për të dërguar vendin përpara, përmes punës dhe bashkëpunimit në të gjitha nivelet shoqërore. Kjo e fundit duket sikur ka më pak rëndësi për një shtresë të caktuar njerëzish të angazhuar brenda institucioneve shtetërore dhe në skenën politike.
Për gjatë këtyre 20 viteve lirie dhe 11 viteve pavarësie, ne akoma nuk po arrijmë t’i tejkalojmë këto dukuri, në mënyrë që të vazhdojmë rrugëtimin tonë kah një shoqëri e zhvilluar dhe e konsoliduar, ku dallohen politikanët nga publicistët. Ku dallohen pretendentët për punë të mira, me synime zhvillimore, nga ata të cilët duke denigruar, shantazhuar e etiketuar, kanë për qëllim vetëm ngritjen e tyre personale karrieriste, duke lënë në margjinë apo edhe harruar thirrjen e tyre dhe obligimin para popullit për detyrën në të cilën janë vënë.
Përmes etiketimeve e shantazheve, të tillët, synojnë e shpesh edhe arrijnë të marrin një post të caktuar në skenën politike e shoqërore. E gjithë kjo ka për pasojë zvarritjen e zhvillimit të vendit dhe shoqërisë sonë. Ka vite ku të gjithë po i vërejmë këto anomali në skenën politike, në të cilën skenë, të gjitha nisen e sosen në ankesa dhe kritika ndaj njëri tjetrit.
Mendoj që është koha për veprime konkrete duke tejkaluar dukuritë e bajraktarizmit dhe me mendje të hapur të ecim drejtë zhvillimit të vendit.
Kosova në përgjithësi dhe komuna jonë në veçanti, si komunë me njerëz të urtë e para së gjithash të vyeshëm, kërkon që në radhë të parë të mbështetën njerëzit të cilët me gatishmërinë e tyre personale, shoqërore dhe intelektuale, dinë të konkurrojnë në tregun e përgjithshëm ekonomik, por edhe atë politik.
Njerëz të cilët përmes së kaluarës së tyre dëshmojnë e tregojnë qartë për aftësitë e tyre shoqërore e politike, se çfarë njohin dhe çfarë i ofrojnë shoqërisë kosovare.Ndryshimet vijnë vetëm kur veprojmë më ndryshe ngaqë jemi mësuar deri tani!
/Autori është nënkryetar i Komunës së Gjilanit/