Shkruan: Mehmetali Rexhepi
Shtatë shkaqe përgjithësuese për ta çmuar Prend Buzhalën
Me këtë rast: dua t’i nënvizoj disa pohime, që tashmë u shqiptuan këtu për poetin, shkrimtarin, kritikun, estetin dhe studiuesin letrar, mikun e brezit tim Prend Buzhala!
I nderuari dhe i respektuari Prend Buzhala! Lexues të nderuar!
Me këtë rast: dua t’i nënvizoj disa pohime, që tashmë u shqiptuan këtu për poetin, shkrimtarin, kritikun, estetin dhe studiuesin letrar, mikun e brezit tim Prend Buzhala!
Shkaku i parë: është rasti solemn për Prendin, njëri prej të pagjumëve dhe, për dinjitetin e letërsisë tij, prore në funksion të pasurimit të artit dhe të kulturës sonë kombëtare nga pena tejet e frytshme e këtij autori. Për këtë rrethanë fatlume, që Komuna e Gjilanit dhe drejtuesit e Ars-Club “Beqir Musliu”, nëpërmes dhënies së këtij çmimi, tumirin vlerat dhe krijuesit e artit letrar. Udhëheqja e Komunës së Gjilanit dhe asociacioni i lart theksuar kulturor-letrar, meritojnë falënderimin dhe respektin e lexuesve.
Shkaku i dytë: është vënia në pah institucional i vlerave letrare-artistike të autorit Prend Buzhala, që shkriu qasje të gjithanshme të dijeve e prirjeve teorike-letrare-artistike, të pandërprera, as dhe në raste sëmundjesh. Për pohimin e nënvizuar kam dëshmi të pakontestueshme. Prendi as në zjarrmi ethesh nuk pushon!
Shkaku i tretë: ky autor prodhoi sasi dhe cilësi shkrimesh në disa vëllime, të cilat në vazhdimësi ndiqnin njëra-tjetrën. Shkroi në të gjitha gjinitë dhe llojet letrare, duke sjellë veçanti përvojash e qasjesh; përkufizime të sinqerta, gjithnjë në përputhje me standardet e diskurseve teorike-letrare, kritike dhe estetike Euro-Atlantike.
Shkaku i katërt: vullneti shembullor i këtij autori për t’i trajtuar e përfillur me paanshmëri, pa tirada, me dhjetëra, ndoshta qindra botime autorësh relievesh e nivelesh të ndryshme! Gjithsesi, kjo dëshmi të shpie tek admirimi i pakushtëzuar për këtë autor.
Shkaku i pestë: shtytja e pandalshme dhe krejtësisht fisnike e Prend Buzhalës për ti gjallëruar veprimtaritë kulturore-artistike, pos për Klubin letrar “Vorea Ujko” të Klinës, por dhe për shtrirjen e ndikimit gjetiu, gjithandej ku flitet e shkruhet shqip.
Shkaku i gjashtë: kapitull i posaçëm për varg-veprimet e iluministit tonë është arsimi. Pleksjet edukative-arsimore dhe publicistike dhe, roli redaktues e recensues në varganin e botimeve individuale dhe me grupe autorësh. Shkrimi i solemnitetit të këtillë nuk parasheh fakte për ilustrime të pohimeve. Faktet janë në librat përkatës të bibliotekës Prend Buzhala.
Shkaku i shtatë: është vijëzimi, pastaj pikturimi i portretit njerëzor, që në serinë e disa shkrimeve të mia për opusin e përgjithshëm dhe, për ca nga botimet autoriale të Prendit, e kam titulluar “Portreti që shpërfillë kornizat”.
Prend Buzhala si njëri nga personalitet komb-fisnikërues i kulturës sonë letrare, shpirtërore, filozofike, etike, asnjëherë nuk u zmbraps, nuk u frenua nga dogmat premtuese e kërcënuese. Ai u poq në frymën e Rilindjes Shqiptare dhe, si i këtillë nuk mund të mos identifikohej me fatin tragjik të kombit e të atdheut. Ai s`kishte pse të mos denjonte vijimësinë e urtisë dhe të filozofisë së Nënës Terezë, përkatësisht të Shën Terezës dhe, bëmave shëmbëllese të Adem Jasharit!
Jo rastësisht aktin e Krye-heroit në poezitë e tija, përmes ndajfoljes poetike: të rrosh e të biesh jasharisht , ngre modelin më kuptimplotë të metaforës jetësore e poetike për qëndresën kombëtare. Andaj, Krye-personazhi i këtyre rreshtave nuk mbeti një fat i pacenueshëm, ngaqë përjetoi ndjekjen, burgimin, persekutime, censurën, linçimet, djegie të bibliotekës nga barbaria serbe!
Lexues të nderuar!
Të merr malli të takosh e të bashkë – ndjesh me një njeri të këtillë ngërthesash e mëtimesh për zbërthime të së bukurës, të sublimes njerëzore, të heroikës dhe shëmtisë. Në të vërtetë, çfarë hasa tek kjo vetëdije e gjallë e mjedisit tonë finok e mëkatarë? Hasa tiparin e fshehtë të sinqeritetit, të padjallëzuarin për vardisje klanesh, një personazh stolish paqësore, që ngërthen e zbërthen urti, guxim qytetar, dashamirësi, ndjeshmëri të hollë e besim-plotë në forcën dhe talentin ndërtues të njeriut, çiltërsi, modesti njëkohësisht madhështi.
I nderuar Prend! E nderuar juri!
Jo për të gjithë të përzgjedhurit e deritashëm për çmimin “Beqir Musliu”, që jepet tashmë tradicionalisht nga Komuna e Gjilanit, për nder të Beqir Musliut, shkrimtarit unikët të letrave shqipe, jam pajtuar. Me sinqeritetin më përmbajtësor pajtohem plotësisht për nderimin, që çmimi “Beqir Musliu” t’i jepet Prend Buzhalës! Madje, me plot arsye ndjehem i gëzuar.
Pse? Për shkakun se Prend Buzhala është poema e cikleve lirike-epike; është diskursi i thellimit të kompetencave teorike-letrare; është romani i vijimësisë të shkruar dhe të pashkruar; është gurra e pashteruar e freskisë dhe e kthjellimit prej letargjisë; është bukur-shkrimi ynë i praruar!
Faleminderit! /2LONLINE/