Sipas një publikimi të fundit të “Eurostat”, Shqipëria është vendi me nënat më të reja të Evropës, madje shumë lindje kryhen në adoleshencë.
Mosha mesatare e nënave, për herë të parë në Shqipëri është 26-vjeç, më të rejat në Evropë, së bashku me Bullgarinë.
Materniteti “Koço Gliozheni” në Tiranë është nga më të mëdhenjtë në vend. Nëse më parë femrat bëheshin nëna në të 20-at, sot kushtet kanë ndryshuar.
“Në maternitetin tonë kryhen rreth 4.000 lindje në vit. Nga këto, rreth 900, pra 20-23% e tyre i përkasin grupmoshës 15-24 vjeç. Unë pata rastin e një vajze 16-17-vjeçare pak kohë më parë, e imët ishte. Këshilla jonë, si mjekë specialistë, është më se e prerë: Duhet patjetër të kërkojmë që të rriten vet vajzat, pastaj të krijojnë familje. Mosha e re, 25 deri në 39-vjeç, është më e përshtatshmja për të qenë nënë”, tha Mirela Rista, gjinekologe.