/në përvjetorin e vdekjes, kushtuar bashkëveprimtarit Nazim Azemi) 04.12.2020/
Nga Gani NEZIRI
Ishte koha e demonstratave studentore të vitit 1981 kur kërkohej ndërrimi i statusit politik të krahinës së Kosovës në status republike. Njëkohësisht, gjithandej nëpër Kosovë organizoheshin mbledhje të LKJ-së për të dënuar studentët demonstrues dhe kërkesën e tyre “Kosova Republikë”. Si rrjedhojë, masa e gjërë kosovare u nda në dyshin përcaktues; Për dhe Kundër “Kosovës Republikë”.
Për më keq, filloi edhe linçimi politik nga fuqia e pushtetit për kuadrat politik, intelektual e arsimor që dyshohej se mbështesnin kërkesën (kundër)revolucionare për avansimin politik të Kosovës. Ndërroheshin e zëvendësoheshin sekretarët e partisë (LKJ), kudo ku mendohej se nuk ishin treguar vigjilent në ndjekjen e iridentes shqipëtare. Kështu pra, edhe në Sllatinë u organizua takimi diferencues mbrendashoqërorë.
Nevojat e organizimit ilegal për Republikën e Kosovës, diktonin nevojën e infiltrimit tonë në strukturat organizative të LKJ-së në bashkësinë lokale të fshatit tonë. Sipas instruksioneve të Abdullah Prapashticës, ish Kryetar i grupit ilegal PKMLSHJ që vepronte kundër sistemit të RSFJ-së, i cili njëkohësisht edhe vet ishte infiltruar në Sekretariatin Krahinor të Punëve të Brendëshme në Prishtinë me qëllimin që të ishte i informuar më përsëafërmi me aktivitetet e brendëshme të UDB-së. Për më tepër, sabotimi që do t’i bëhej sistemit nga brenda do të ishte dëm më i madh për sistemin. Ai kishte mësuar shokët e mi Nazimin, Shyqeriun e Vahedinin se si duhet të futen brenda lëkurës së sistemit të shtetit për t’a luftuar më lehtë nga brenda me metodën e sabotimit.
(Unë nuk mund të shkruaj për veprimtarinë ilegale-patriotike të Abdullah Prapashticës por, mund të shkruajnë dhe duhet të shkruajn vetëm hulumtuesit profesional-shkencorë që do të dijnë mirë të zbërthejnë dijen dhe guximin e Tij për të vepruar nga mbrenda lëkurës së shtetit).
Pas disa analizave që ishin bërë në njërën nga mbledhjet e radhës, ishin dakorduar që të futen në kryesinë e LKJ-së të fshatit, si dhe në Kryesinë e Rinisë së fshatit. Kështu që, Sekretar i LKJ-së për Sllatinë të epërme zgjidhet Nazim Azemi. Kryetar i Rinisë Socialiste zgjidhet Vahedin Azemi, ndërsa Sekretar i Rinisë zgjidhet Shyqeri Gjinolli.
Rrëfente baci Nazim, se si pas mbledhjes kishte informuar shokët e organizimit se ja kishin arritur qëllimit. Pamja natyrore e tij gjithmonë ishte serioze por, kësaj radhe me një buzëqeshje të butë tha; prej sot Unë jamë Sekretar i Partisë (LKJ-së) në fshat. Pra, prej sot, duhet të keni kujdesë kur flisni para meje, sepse kam detyrë nga pushteti të ju përcjellë të gjithëve, përfundoi duke qeshur, hahaaa. Qeshëm edhe ne shokët e tjerë.
Pas përfundimit të mbledhjes së partisë (rrëfen baci Nazim) shkova në shtëpinë e Hamzës ku më pritnin shokët e organizimit me të cilët duhej të përgaditnim pamfletet e radhës që do t’i shpërndanim edhe në fshatin Trestenik ashtu si i kishim shpërndarë ditë më parë në Sllatinë e Sadovinë.
Shtypin e bëmë me makinë shtypi të dorës, të cilën e kishte nxjerë Shyqeri Azemi nga Zyra e Ofiqarisë së vendit në Sllatinë, ndërsa, Matricat i kishin sjellur Muhabi Azemi dhe Xhemajl Haziri zyrtarë në Gjykatën Komunale në Viti dhe Xhevat Haziri poashtu zyrtar komunal. Punuam tër natën derisa përfunduam numër të mjaftuar pamfletesh. Pastaj i ndamë në disa kutia që jenë të gatshme për secilin që nesër në mesnatë të shpërndahen. Para mëngjesit u shpërndamë duke marrë me vete secili kutinë e vetë.
Tani më që isha sekretar i partisë për fshatin tonë, me urdhër të Komitetit Komunal më duhej që të organizoja orarin për “rojën e natës” me bashkëfshatarë, për të përcjellur “Lëvizjet nacionaliste” të natës ashtu si organizonin edhe gjitha fshatrat gjithandej Kosovës. Caktonim pikat “strategjike” të fshatit dhe për çdonjëren pikë caktonim nga dy persona për të vëzhguar lëvizjet ilegale të “armikut”.
Shpërndarjen e pamfleteve në fshatin Trestenik Baci Nazim e tregonte aq këndëshëm sa s’bëhet më mirë. Tregonte me ngadalë, ndërsa ne gjithë të tjerët ia plasnim të qeshurave valë-valë.
Organizimi ishte i shkëlqyer dhe i sigurt. Me që Sekretari i Partisë, (Baci Nazim) kishte për obligim që në orët e vona të natës të bënte edhe “vizitën kontrolluese” të rojave që vet kishte caktuar, prapa duhej të shkonin shpërndarësit e pamfleteve në distancë, në mënyrën që, kur Nazimi të takonte “rojën e fshatit” duke zgjatur bisedën me ta, do të mund të shpërndaheshin pamfletet pa frikë. Kjo formë e shpërndarjes së pamfleteve ishte gjithëmonë e suksesëshme dhe e këndëshme. Të rriste ambicien për të mos fjetur kurrë.
Vazhdonte rrëfimin baca Nazim, – Fill pasi u ktheva nga mbledhja e partisë ku caktuam rojet, shkova në shtëpi dhe i morra rreth pesdhjetë pamflete që kishim përgaditur mbrëmë dhe i futa nën xhemper. Më duhej të prisja Vahedinin që sëbashku të shkojmë te Shyqeriu në mënyrë që në kohën e kontrollës kur do t’u bëja “pikave të rojës”, ata të shpërndanin fletët si zakonisht. Mirëpo, ve veçsa isha duke veshur pallton u dëgjua rrëkëllima e derës së oborrit.
Me të shpejtë baba morri koburën në dorë, vuri pallton mbi supe dhe doli në oborr duke thirrë; o hajdeni burra, bujrum! – me një zë jo fort të lartë.
_Jemi nga Komiteti, thuani Sekretar Nazimit le të dal, sepse do të dalim në patrullim të rojave, -u dëgjua një zë nga sokaku.
_Po, menjëhere, -u përgjigj Baba dhe përsëri thirri, -ooo Nazim-o, eja se po të thërret dikush.
_Axhooo, nuk jemi na ‘’do dikusha’’, por jemi patrolla e komitetit të komunës, -ndërhynë ata, duke mos ju pëlqyer prezentimi nga ana e Babës.
_E nejse de, -tha Baba, -dhe nuk deshi tutje të përgjigjet, ndërsa Unë dola menjëhere me të shpejtë duke harruar për një moment se pamfletet e shkruara më kishin mbetur nën xhemper që i kisha futur pak më parë. U përshëndeta me ta me “mirëmbrëmja” dhe “i luta” sipas zakonit që të hynin mbrenda për nga një kafe, sepse kisha hallin e letrave që më mbetën nën xhemper. Doja t’i lëshoja diku në oborr. Por, ata nuk pranuan se nuk pranuan dhe më urdhëruan që ashtu si isha të futem në kompanjollën e tyre.
Patjetër që kapa dorezën e derës por memzi e tërhoqa. Ishte kjo një veturë e vjetëruar e prodhimit rus e mbetur që nga paslufta. Vështirë hapej dhe më vështirë ishte që të mbyllej. Madje edhe nuk mbyllej mjaftueshëm duke mbetur hapur pjesa e poshtme e derës. U ula në karriget e pasme me frikën e pamfleteve që më mbetën nën xhemper.
Veçsa u nisëm për Trestenik, komitetliu trupgjatë më tha; nëse do të kursenin kohën mjaftueshëm do të hynin te X.X personi, se ishte “njeri i mire” dhe do të përbinin nga një gotë raki. Por, ti Nazim nuk do të hyjsh aty sepse kemi informacion se familjet tuaja nuk mbajnë raporte të mira mes vete. Në rregull,-i thash.
U nisëm rugës të poshtë me shpejtësi duke fërshëllyer fryma nga dera e prapme e pambyllur deri në funt, përmes të cilës futej edhe ftoftësi e vjeshtës dhe desh më mërdhiu fare. U përpoqa të largohem paksa nga dera por ku të shkoj, veçse dy-tri pëllëmbë më largë.
Se që m’u kujtua në moment një fjalë e vjetër popullore; “çdo e mirë ka dhe një të keqe por, edhe çdo e keqe ka një të mirë”. Ide fantastike më erdhi si dhuratë nga Zoti i madh. Këtë mosmbyllje të derës edhe sikur t’a kisha porositur nuk di a do të mund të bëhej më mirë. Me të hyrë në fshatin Trestenik, që nga shtëpitë e para fillova të nxjerr me ngadal dhe shumë kujdesë nga dy-tri pamflete prej nënxhemperit dhe i lëshoja në vrimën e hapur të derës për të rënë në skajin e rrugës. Kështu, duke biseduar qetësisht dhe me shumë kujdesë vazhdoja të lëshoja pamfletet nga dy-tri-katër copë gjat gjithë rrugës derisa mbrrimë te oborri i Shkollës së fshatit i hargjova të gjitha pamfletet që kisha nën xhemper. Aty edhe duhej të takoheshim me rojën-kujdestarët e natës.
Posa na njohën, na uruan mirëseardhje. Na lutën që të hyjmë brenda duke na thënë se çaji është gati.
_Jo, jo, nuk kemi edhe aq kohë sa të pijmë çaj, -tha trupgjati, -veçse, edhe ju mos e kaloni tër natën brenda në Shkollë duke pirë çaj, duhet të dilni herëpasëhere në vizitë rrugëve të fshatit. Si mund ta dini nga brenda se ka ndonjë lëvizje të dyshimt -përfundoi trupgjati.
_ Te ne në Trestenik nuk kemi element nacionalist që na e prish terezinë, -deshi të shpjegoi njëri nga kujdestarët, -prandaj ne po pijmë çajin serbez.
_Në rregull, në rregull, – ndërhyri truptrashi, -këndej nga erdhëm çdo gjë ishte në rregull, megjithate, ju duhet të keni kujdes. Veçse të lehurat e qenëve nuk janë shenjë e mirë.
_Hahahaha, … hahahaha, -u munduam të qeshim të gjithë!
Fjalë pas fjale erdhi fundi i bisedës. Tani duhej të këtheheshim andej nga kishim ardhur. Shoferi ktheu timonin e makinës në të majtë nga krahu i tij për të marr drejtimin në rrugë. Posa u këthyem rrugës nga erdhëm rreth njqind metra më poshtë u panë pamfletet e para që “dikush” i kishte hedhur prapa nesh!
_Uaaa, -bërtiti shoferi i habitur! Auuu, -bërtiti edhe tjetri! _Shihe more shihe, si ka mundësi kaq shpejt të na vie dikush pas nesh dhe të bëjë këtë marifet?!
_Auuuu, auuu, auu, -edhe Unë bëra tri herë, që të dukem më i merakosur se të dytë bashkë.
Zbritëm nga makina, u përpoqëm t’i mbledhim disa nga letrat dhe hymë përsëri në makinë për të vazhduar me plot nervozë dhe shfryerje sharjesh. Poashtu vazhdova të shfryhem edhe Unë por, pak më ndryshe nga ata, pe merrni vesh ju, – tha Baci Nazim duke qeshur, – hahahaha …
Qeshëm edhe ne të gjithë që dëgjonim rrëfimin, me sy e veshë të papur.
Ishte ky aksioni më i suksesshëm i veprimtarisë time ilegale kundër politikës jugosllave. /2LONLINE.com/
(është pjesë nga rrëfimi i bacit Nazim i nxjerrur nga libri im në dorëshkrim “Kujtime nga burgu dhe jeta ilegale”)