Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj së bashku me Zëvendësministren e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe Shefen e Sektorit për Zhvillim të Hershëm të Fëmijëve në kuadër të misionit të UNICEF në Kosovë Sajeda Atari, kanë shpërndarë sot pakot për foshnjat e porsalindura dhe nënat lehona.
Kryetari i Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj ka treguar se kjo është një nga politikat më të reja që ka nisur në Komunën e Kamenicës, duke shtuar që uron që të mbetet edhe shembull i mirë që mund të ndiqet nga komunat e tjera.
“Për ne është shumë e rëndësishme që të sigurojmë kushtet për të gjithë, duke filluar nga shërbimet shëndetësore e deri tek politikat e tilla sociale, të cilat arrijnë ta bëjnë ndryshimin për mirë dhe ndihmojnë në rritjen e fëmijëve tuaj. Një element shumë i rëndësishëm i pakos është edhe aplikacioni FOLEJA të cilin ju mund ta shkarkoni e të mirrni ndihmën e nevojshme për rritjen e fëmijës suaj”-ka thënë Kryetari Rahimaj duke falënderuar UNICEF për bashkëpunimin.
Kurse Zëvendësministrja Gexha-Bunjaku ka thënë se Komuna e Kamenicës është një shembull i mirë që ka nisur politika të tilla, që mund të jenë shembull edhe për të tjera komuna, por edhe që nëpërmjet kësaj nisme mund të ndikojnë në të mirën e përgjithshme.
“Jemi të lumtur që jemi pjesë e një politike të tillë, si dhe aplikacioni FOLEJA i cili i është shtuar kësaj pakoje. Për ne është shumë e rëndësishme që të mbështesim iniciativa të tilla”-ka thënë shefja e sektorit të UNICEF znj. Sajeda Atari.
Kujtojmë se Komuna e Kamenicës është komuna e parë me një praktikë të tillë, dhe se aplikimi për përfitimin e kësaj pakoje vazhdon në kuadër të kritereve të vendosura në aplikim. /2LONLINE/