Drejtoria e Bujqësisë në Komunën e Kamenicës, ka bërë shpërndarjen e mekanizmave bujqësor për 20 përfitues.
Këto mekanizma janë shpërndarë në kuadër të projektit “Furnizimi i fermerëve me mekanizëm bujqësor”.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj ka uruar fermerët përfitues duke thënë se edhe në të ardhmen do të përkrahin kulturat bujqësore.
“Buxheti për subvencione në lëmin e bujqësisë është në rritje dhe për këtë po mundohemi që të mbështesim fermerët me ato gjëra që kanë nevojë. Urime të gjithë fermerëve përfitues dhe inkuraoj të gjithë të tjerët që të zhvillojnë veprimtaritë e tyre bujqësore”, ka thënë ai.
Edhe Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Shpend Morina, uroi fermerët përfitues.
“Ne çdoherë jemi në kontakt me fermerët për të parë nga afaër nevojat e tyre dhe për këtë shpesh mbajmë edhe takime ku i diskutojmë këto gjëra. Uroj fermerët përfitues dhe iu them se gjithmonë do t’i përkrahim me mundësitë tona buxhetore që i kemi”, ka thënë ai.
Fermerët përfitues kanë përfituar mekanizëm bujqësor si Pjatore me 24 disqe dhe Kositëse bari rotative 135 cm. Vlera e këtij projekti ka qenë 22,490.00 Euro ku 70% ka participuar Komuna e Kamenicës ndërsa 30% fermerët. /2LONLINE/