Është mbajtur prezantimi mbi shpalosjen e rezultateve të hulumtimit të realizuar mbi “Dhunën në shkolla dhe faktorët e ndërlidhur me të”.
Albana Demiri, drejtoresh e Arsimit në Komunën e Gjilanit, tha se ky hulumtim është realizuar nga psikologet e shkollave, duke përfshirë analizën e disa faktorëve kyçe.
Sipas saj pikat kryesore të diskutimit ishin:
Faktorët e rrezikut nga nxënësit. Atmosfera (situata dhe klima në shkollë). Mbështetja e mësimdhënësve ndaj nxënësve (dallimi ndërmjet SHFMU & SHML). Viktimizimi dhe dhuna ndërmjet nxënësve. Ngacmimet seksuale ndërmjet nxënësve. Viktimizimi nga mësimdhënësit (dhuna psikologjike, fizike dhe seksuale).
Nënkryetarja e komunës Leonora Morina Bunjaku, tha se është e nderuar të jetë pjesë në një ngjarje të veçantë dhe jashtëzakonisht të rëndësishme për komunitetin arsimor.
Ajo në emër të kryetarit Alban Hyseni, shprehu mirënjohje për psikologet dhe akterët e tjerë për punën e mirë që kanë bërë, ku dhe sot shpalosen rezultatet e arritura nga hulumtimi “Dhuna në shkolla dhe faktorët e ndërlidhur me të”.
Më tej nënkryetarja shtoi se ky studim është realizuar për herë të parë në shkollat fillore, shkollat e mesme të ulëta dhe të mesme të larta të komunës së Gjilanit, nga psikologet shkollore në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit.
“Gjatë këtij takimi pjesëmarrësit ofruan rekomandime për masat parandaluese dhe ndërhyrjet efektive”, tha Morina Bunjaku.
Sipas saj ky takim ështê një mundësi unike për të diskutuar këto gjetje, për të ndarë përvojat dhe për të bashkëpunuar në krijimin e një mjedisi shkollor më të sigurtë dhe mbështetës për të gjithë nxënësit. Së bashku, mund të kontribuojmë në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe në nxitjen e një klime pozitive në shkollat tona. Andaj, prezenca dhe kontributi i të gjithëve është i domosdoshme për arritjen e këtyre qëllimeve.
Përgjatë pjesëmarrjes, në prezantim kanë marrë pjesë edhe asambleistë, drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, prindër, mësimdhënës, përfaqësues të policisë dhe akterë të tjerë të rëndësishëm.
Drejtoresha e Arsimit, tha se ky hulumtim na ndihmon të kuptojmë më mirë sfidat që përballemi dhe të ndërmarrim hapa konkret për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe mbështetës për nxënësit tanë.
“Në bazë të rezultateve do të fillohet një plan i integruar ndërhyrjeje dhe do të përpilohen programe të reja me qëllim parandalimin e mëtejshëm të dhunës në shkolla”, tha Albana Demiri. /2LONLINE/