Ars Clubi “Beqir Musliu”, i mbështetur financiarisht nga Komuna e Gjilanit, në kuadër të projektit të përgjithshëm për shënimin e Vitit 2017 si “Viti i Idriz Seferit” dhe atë në 170 vjetorin e lindjes e në 90 vjetorin, e vdekjes, kishte shpallë edhe konkursin letrar për poezi, tregim dhe ese, me motivacion figurën e këtij kryetrimi shqiptar nga Karadaku si dhe periudhën e luftërave për liri e pavarësi, gjatë viteve 1908 – 1912, të cilat rezultuan me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912-të.
Në kuadër të aktivitetit të parë të manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, juria në përbërje nga Mehmetali Rexhepi, Nexhat Rexha e Gjylishene Berisha, ka komunikuar rezultatet e konkursit letrar tematik për figurën e Idriz Seferit, duke bërë të ditur se jo të gjitha shpërblimet e parapara janë ndarë.
Anëtari i Jurisë, Mehmetali Rexhepi, theksoi se juria kishte pritur me shumë prurje letrare në këtë konkurs, për të shtuar se arsyeja mund të kishte qenë kufizimi në temë, andaj nuk e kishin paraparë të ndaheshin të gjitha çmimet, transmeton 2LONLINE.
Megjithatë, juria kishte shpalli disa prej punimeve më të mira duke i vlerësuar me disa prej vendeve, bazuar në kategori. Sipas anëtarit të jurisë, Mehmetali Rexhepi, nga vlerësimet e bëra këto janë punimet e shpërblyera.
Rezultatet në POEZI:
Vendi i dytë : “Bardhësi Rrënjësh” , shifra: Dy Drinat
Vendi i tretë: “Idriz Seferi“, shifra: Vegimi i Kalorësit
Rezultatet në ESE
Vendi i tretë – “Kalorësi që mungoi në Vlorë“, shifra: Amfiteatri 46
Rezultatet në PROZË
Vendi i tretë- “Fluturimi i shqiponjës që bëri historinë“, shifra: n’Karadak
Për botim
Ndërsa, për botim juria propozoi vështrimin kritik “Karadaku përball rrebesheve të historisë“, shifra: Luftëtarja.
Sipas organizatorit, krijimet e shpërblyera dhe ato që u veçuan për botim, do të publikohen në një numër ekskluziv të revistës letrare – kulturore AGMIA, nën singlën: “Viti i Idriz Seferit”.
Përndryshe, në shënim të Vitit 2017 si “Viti i Idriz Seferit”, ndër tjerash, Komuna e Gjilanit ka paralajmëruar edhe vendosjen e shtatores së heroit kombëtar Idriz Seferi në qendër të Gjilanit. /Elife Sherifi/