Kundërpërgjigjet Mustafa: Jemi keqkuptuar – Unë për Lisa e Ju për fshisa!

Kundërpërgjigjet Mustafa: Jemi keqkuptuar – Unë për Lisa e Ju për fshisa!

Reagimi i bërë nga Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Dega në Gjilan. në adresë të ish kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, ka marrë përgjigjen nga ky i fundit, i cili përmes një postimi në profilin e tij është deklaruar lidhur me reagimin e shoqatës në fjalë.

Lexo edhe: “Ushtari i panjohur” përplasë historianët e Gjilanit me ish kryetarin Mustafa

Përndryshe, ja kundër reagimi i Mustafës:

Rreth reagimit të shoqatës së historianëve “Ali Hadri” dega e Gjilanit në ftesën time për ta dëgjuar zërin e tyre rreth zhvendosjes së monumentit të LNÇ

TË NDERUAR, JEMI KEQKUPTUAR – UNË PËR LISA E JU PËR FSHISA!

Te nderuar, ju historianë, anëtarë të shoqatës “Ali Hadri”, pa edhe një më të voglin motiv për të polemizuar me ju, unë e pata për qëllim që ju si organizim kompetent patjetërsueshëm të jepni opinionin tuaj dhe ta largoni mjegullën e krijuar e të çelni rrugë për ndriçimin e momentit konfuz që e shkaktoi politika plotësisht e pakujdesshme e joligjore e Gjilanit ose të jem edhe më i saktë, kryetari i tashëm i saj Lutfi Haziri. Fjala pra është për monumentin skulpturë të pas luftës së dytë botërore në këto anë.

Pavarësisht se komuniteti i artistëve relevantë të Gjilanit reagoi qysh ne orët e para të zhvendosjes së përmendores, kaluan dy a tri ditë dhe ju nuk u ndiet të gjalle qoftë edhe me një reagim të “butë” preleminar për publikun i cili, ndoshta, do të duhej me e pasë durimin derisa ta thoni fjalën tuaj pas ndonjë dite por pa vonesë.

Nuk dij se si do të duhej ndryshe me ju “zgjue” nga gjumi juve hatermbetesve kaq te mëdhenj përveç se me një ftesë qoftë edhe të këtillë të cilën ju e quani ofenduese e cinike, pa të drejtë. Avangardistët, pra elitat e një shoqërie e kanë për obligim të parë që tu prijnë proceseve, e kur ato devijojnë e kanë për borgj me kohë me sugjerue e me rekomandue për korrigjim dhe me i paralajmerue pasojat që mund ti ketë shoqëria nëse reagimi i duhur nuk ndodh, po ashtu.

Pra, të nderuar, ju jeni hiç më pak se elitë e shoqërisë së Gjilanit (dhe Kosovës) për fushën qe ju e mbuloni. Ju kam “ngacmuar” publikisht pa ndonjë qëllim të keq por, pikërisht për të reaguar qoftë edhe kështu, ndaj meje personalisht. Nuk e kam aspak dertin unë nëse mund te provoni të më damkosni e të hedhni baltë mbi personalitetin tim. Me rëndësi është që ju filluat të reagoni. Kjo i duhet Gjilanit.

Pas këtij mali te vogël akuzash ndaj meje dhe (kryesisht) fjalëve te mira për kryetarin aktual, eshte mire qe ta hapni frontin tjeter të rëndësishëm. Ate per te cilin ka nevoje shoqeria e Gjilanit sot. E nese doni me vazhdue ne mua për “bëmat e të pabëmat” e mia, e vazhdojme ne kohe me te qeta kur nuk kemi emergjenca shoqerore. Nuk do te doja sepse nuk ka nevoje por, pse jo?

Unë u jam drejtue juve veçanërisht dhe pikërisht duke ushqyer respekt për ju si organizim i historianeve dhe duke e njohur moshën dhe energjinë tuaj me “djemtë e ‘Ali Hadrit’ ” që do te thotë se kam gëzuar dhe vazhdoj te kem respekt për punën që bënit derisa unë isha në komune. Heshtja e të gjithë historianeve me pengoi shume dhe vazhdon te me pengoje prore. E juaja posaçërisht. E kam çmuar dhe e kam thënë me dhjetëra here se historianet kanë bërë punë të mirë peë komunën dhe u kemi ndihmuar aq sa kane qene mundësitë e saj por, përherë sinqerisht e hapur e me kënaqësi e jo, siç pretendoni ju, pas “presioneve” që me bëtë pandërprerë.

E theksova përherë kontributin e madh te prof. Alirizes, te prof. Reshatit, te prof. Fehmiut, prof. Sabiles dhe tuajin patjetër dhënë procesit te ndriçimit te etapave te ndryshme te historisë së Gjilanit e rrethinës. Por kjo, jemi koshiente të gjithë, nuk mjafton.

Kemi edhe shumë punë përpara qe na presin neve si shoqëri e juve si historiane. Tuajat janë edhe pune të ndjeshme por shumë prej tyre edhe emergjente. Duhet ti bëni. Nëse jo ju, kush atëherë?

Sidoqoftë, animi i juaj kah njeri ose tjetri kryetar apo, kah njëra ose qeverisje tjetër, e dëmton çështjen tuaj përjetësisht. Mua jo assesi. Pra, mos e bëni për asnjë çmim.

Si miq qe ju kam, ju sugjeroj qe ti ktheheni çështjes trazuese aktuale për të cilën po diskutohet me të madhe në Gjilan, e ajo është dhënia e përgjigjes ne pyetjen që e bëjnë një pjese e mire e shoqërisë së komunës, bashkë me komunitetin e artistëve të saj: A është dashur te zhvendoset përmendorja që qëndroi aty ku ishte për 55 vite ose jo? Nëse po, si do te duhej të bëhej ajo?

E theksova dhe po e them serish, ne vitin më frustrues të Gjilanit 1999, kur antiserbizmi e antijugoslavizmi ishte ne kulm, shqiptarët e Gjilanit nuk e atakuan këtë përmendore por, me të drejtë, e rrezuan përtokë përmendoren e dhunës te viteve te diskriminimit e të shtypjes të skajshme të shqiptareve, atë të Car Lazarit. Ju dhe askush tjetër do te duhej te jepni përgjigjen dhe opinionin tuaj mbi këtë akt tashti, 18 vite pas vitit të çlirimit 1999.

Është ky një akt i njërit nga gabimet e shumta të “rastit” te kryetarit te komunës apo është ky akt i një “atdhetari të vonuar” ne kohe hiç me pak se 18 vite?!. Tjetër të vërtetë nuk ka sepse, po të kishte, ajo do të ishte përmes vendimit meritor të kuvendit të komunës pas diskutimeve me shoqërinë e komunës.

Tkurrja e aspiratave tona, në vetëm ruajtjen dhe madhërimin e historisë dhe të kulturës tonë kombëtare, duke i përjashtuar të tjerët nga konteksti hapësinor e kohor i bashkëjetesës me ne ndër shekuj, me krejt të këqijat e të mirat, druaj se na len tepër të vetmuar dhe të izoluar.

Kjo bie ndesh me aspiratat tona për integrimet që na presin. Diversiteti i kulturave dhe i respektit ndaj të tjerëve është prioritet i lartë i shoqërive moderne.

Për fund, e them me plote bindje e sinqeritet që shpresoj dhe besoj në punën tuaj të mirë e cila si njërin nga qytetarët qe e don shume Gjilanin, do te me gëzonte përherë.

Pres me padurim reagimin tuaj te guximshëm edhe qytetarisht, edhe kombtarisht, edhe profesionalisht për aktin e zhvendosjes se monumentit te LNÇ për këto anë.

Uroj suksese!

KOMENTE