Sot në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj u mbajt ceremonia përmbyllëse dhe u shpallën rezultatet e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024” që u realizua nga data 22-26.04.2024, me pjesëmarrjen e 51 konkurrenteve, 29 nga ta ishin pjesëmarrës ndërkombëtarë ndërsa 22 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Pas shumë testimeve dhe sfidave që kaluan gjatë kësaj jave, rezultatet më të larta i arriti OR3 Sead Veseli nga Regjimenti i tretë i Këmbësorisë( R3K) i cili fitoi vendin e parë dhe njëherit u shpall “Ushtari më i mirë 2024” nga FSK-ja, i dyti u radhit OR3 Lavdim Ibishi R3K, ndërsa vendi i tretë i takoi OR2 Endrit Shartolli R1K.
Ndërsa në radhët e ndërkombëtareve vendin e parë e fitoi nënoficeri nga Jordania, WO Mohammed Yousef Ahmad, i cili njëherë u shpall “ushtari më i mirë ndërkombëtar 2024”, i përcjellë nga Sergeant Salameh Maddallah Salameh i cili u radhit i dyti po ashtu nga Jordania, ndërsa i vendi i tretë i takoi nënoficerit nga Mali i Zi, OR2 Zoran Marijanoviç.
Në ceremoninë përmbyllëse të garës së ushtarit më të mirë morën pjesë, zëvendës ministri i Mbrojtjes, z. Shemsi Syla, Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, zëvendës komandanti i KDS-së kolonel Ilir Shyti, Rreshter majorët e FSK-së dhe vendeve partnere, si dhe oficerë e nënoficerë të FSK-së, dhe të partnerëve ndërkombëtarë dhe të regjionit.
Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti zëvendës ministri i Mbrojtjes z. Syla i cili falënderoi pjesëmarrësit në garën e ushtarit më të mirë 2024, dhe me këtë rast theksoi “kjo ngjarje është bërë tradite dhe vit pas viti po kulmon me rezultate, dhe jo vetëm që kemi fituar në fushat me të cilat merremi dhe përballemi çdo dite por edhe në shumë aspekte tjera të afrimit, shoqërimit, krijimit të shoqërive për të njohur kulturat traditat dhe për ti materializuar ato në vlera të përbashkëta në misionin e përbashkët që kemi”.
Gara e “Ushtarit më i mirë 2024” është organizuar nga rreshter majorët e Komandave dhe njësive të FSK-së, nën drejtimin e rreshter majorit të Komandantit të FSK-së Bedri Zuka.
Në garën “Ushtari më i mirë 2024” morën pjesë garues nga Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e veriut, Mali i zi, Jordania, Kanada dhe Latvia. Pjesëmarrësit garuan në disiplinat : testi fizik, gjuajtje me armë të gjata dhe të brezit, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi.
Pjesëmarrja e garuesve nga ushtritë e vendeve partnere dhe të rajonit në këtë garë dëshmon shkallën e lartë të bashkëpunimit me vendet partnere, që FSK e ka krijuar me disiplinë, përkushtim dhe profesionalizëm. /2LONLINE/