Të premten në Brazil, në orën 17:00, që të gjithë pjesëmarrësit e Botërorit 2014 do të njohin kundërshtarët e tyre. Veçse këtë herë gjithçka lidhur me shortin do të jetë ndryshe dhe nuk do mungojnë surprizat.
Të vetmet që do jenë në pamje të parë të qeta do jenë “kokat e grupit”, e thënë ndryshe: Brazili organizator dhe 7 skuadrat më të mira të renditjes botërore. Ndërsa në tri vazot e tjera janë ndarë me radhë: në të dytën skuadrat amerikano-jugore plus ato afrikane, në të tretën skuadrat amerikanoveriore plus ato aziatike dhe në të katërtën, të gjitha ekipet europianet e tjera që nuk janë kokë grupi.
Në vazon e dytë janë 7 skuadra, sepse përpara shortit zyrtar do bëhet një short paraprak që në këtë vazo të dërgohet një nga 9 ekipet europiane që janë në vazon e katërt, me Italinë që rrezikon kështu një grup ferri. Nëse deri pak ditë më parë mendohej se vazot do të ndaheshin në bazë të koeficientit FIFA, ky anashkalim rregulli ka bërë që Italia, e cila e kishte të sigurt deri dje vazon e dytë, tashmë do të bjerë në rangun e Francës dhe Rusisë, që janë shumë prapa tyre në renditjen e përgjithshme.
Ndërkohë, rregullat e tjera që do merren parasysh gjatë shortit nuk do lejojnë që në secilin nga 8 grupet të ketë më shumë se dy ekipe europiane, dhe jo më shumë se dy ekipe të çdo kontinenti tjetër. Kjo do të thotë që në të njëjtin grup nuk mund të luajnë dy amerikano-jugore së bashku, dy amerikano-veriore, dy aziatike dhe dy afrikane.
VAZOT E BOTËRORIT
Vazo 1 (Kokat e grupit):
Argjentinë, Brazil, Belgjikë, Kolumbi, Gjermani, Spanjë, Zvicër, Uruguai.
Vazo 2 (Amerikano-jugoret/Afrikë):
Algjeri, Kamerun, Kili, Bregu i Fildishtë, Ekuador, Ganë, Nigeri.
Vazo 3 (Amerikano-verioret/Azia):
Australi, Kosta Rika, Honduras, Iran, Japoni, Kore e Jugut, Meksikë, SHBA.
Vazo 4 (Europa):
Bosnjë, Kroaci, Angli, Francë, Greqi, Itali, Holandë, Portugali, Rusi.