Agron Zahiri nënkryetar i shoqatës “17 shkurti”, ka thënë se kjo shoqatë pos që ka realizuar 21 projekte, ajo vazhdon akoma të kontribuojë dhe edhe tani vetëm gjatë këtij pushimi ka arritur që të rinovojë parkun e fshatit duke investuar 1200 euro.
Gjithashtu, shoqata “17 shkurti” ka ndihmuar me 4 kompjuter shkollën e fshatit “Nazim Hikmet” si dhe planifikon t`i ndihmojë 7 familje gjatë kohës së Ramazanit që janë në gjendje të rëndë sociale.
Zahiri tha se “17 shkurti’ me buxhetin e vet do ta ndihmojë edhe shërimin e një bashkëvendësi me gjendje të rëndë ekonomike. Ai është shprehur i kënaqur që për një periudhë shumë të shkurtër kanë realizuar projekte të cilat dukshëm e kanë përmirësuar jetën e bashkëfshatarëve të tyre.
“Ndërtimi i shtëpive për familjet skamnore , ndihma për familjet me nevojë, shkollimi i studentëve të dalluar, projektet e pastrimit të lumit , ndihma për pleqtë e fshatit, janë vetëm disa nga projektet e realizuara deri tani”, ka thënë Zahiri.
Përndryshe, ndër aktivitetet e fundit të kësaj shoqate është edhe organizimi i javës kulturore “Mireshi 2010”, ku me ktë rast është shënuar edhe përkujtimi i dëshmorëve Nusret Hajdari e Mehmetali Behluli.
Ndërkaq pjesa kulturore i është dedikuar talenteve të rinj të këtij fshati, duke organizuar gara në pikturë, madje në këtë garë, sipas Zahirit, ka pasur edhe ankand të pikturave ku nga shitja e tyre janë grumbulluar 300 euro, mjete këto që janë dedikuar talenteve të rinj të kësaj fushe .
Në sferën sportive janë realizuar gara në futboll si dhe është realizuar një mini-maratonë ku janë shpërblyer e nderuar më të mirët./2lonline/