Libri “Periodiku shqiptar islam” përbëhet prej tre kapitujve, që në tërësi ruajnë vijëzimin dhe kuptimësinë të cilën autori ka arritur ta sinkronizojë aq natyrshëm triometrinë shkencore duke u nisur nga zbërthimi i kombit, konfesionit fetar dhe diversitetit në shoqërinë e fillimshekullit XX e më pas.
Nga: Izmi Zeka
Autori ka qasje filozofike, historike e shkencore. Ka arritur që me punë të palodhshme të shkrijë dykuptimësinë rreth të qenit shqiptar dhe besimit islam. Studiuesi Fahrush Rexhepi shihet se edhe pse është një intelektual dhe predikues i fesë, ai assesi nuk bie në grackë që të shpërdorë gjatë të shkruarit aspektin shkencor. Pra me një fjalë, ai futet në botën shkencore përmes fakteve që janë bindëse për cilido lexues, qoftë ai edhe i thjeshtë.
Libri përbëhet prej tre kapitujve: Kapitulli i parë “Në djepin e zhvillimit të shtypit islam shqiptar, të viteve 20-40 të shek. XX”, Kapitulli i dytë “Bashkimi i Njësisë së Shqipërisë në shtypin shqiptar islam”, Kapitulli i tretë “Ndriçimi i së kaluarës në funksion të së ardhmes”.
Në kapitullin e parë unë do të veçoja një pasus ku ndër të tjera autori thekson: “Në burimet themelore të islamit, në Kuran, gjejmë në shumë vende termin “Kavm”, popull, komb, si “Ne asnjë nga të dërguarit i dërguam ndryshe vetëm në gjuhën e popullit të vet, ashtu që ai t’u shpjegojë atyre (në atë gjuhë)”.
Autori thekson se nga ky citat kuranor kuptojmë edhe të drejtën për përdorimin e gjuhës së vet secili popull e që është një prej komponentëve kryesorë të kombit. Jorastësisht e citova këtë pasus që ka vlerë shumëdimensionale që nganjëherë edhe nuk shpjegohet si duhet dhe nuk interpretohet deri te qytetari ashtu si duhet. Vetë Kurani nuk lë zbrazësi dhe me këtë shpjegim të autorit dalin në dritë në mënyrë autentike të dhënat kuranore që paraqesin vlera universale edhe për shoqëritë bashkëkohore.
Në këtë shpjegim edhe autori, e në këtë kompleks Kurani, qartëson të drejtën e të jetuarit si kombe, por edhe besimin islam e trajton ashtu qysh duhet. Le t’i kthehemi historisë së Kuranit si libër i shenjtë, sipas të cilit nuk mund të ikim nga realiteti i kësaj bote, i kësaj shoqërie që ruan paprekshmërinë dhe jep rrugë për të qenë një shoqëri humane, njerëzore dhe civilizuese. Këtu qëndron edhe madhështia e librave të shenjtë të besimit mysliman dhe udhërrëfimi për jetën dhe zhvillimin e saj.
Autori Farhush Rexhepi arrin të mbërrijë aty ku më së shumti ka nevojë shoqëria, jo veç kosovare por edhe përtej saj, të njihet me dokumentet islame që paraqesin vlera për shoqëritë moderne. Për të sforcuar këtë që e thashë më lart po e marr prapë një shembull të Kuranit e që nuk i ikën as autorit, ku shkruan: “Thuaj /O ithtarë të librit(teurat e Inxhil), ejani në marrëveshje të përbashkët, te një fjalë që është e njëjtë mes nesh dhe mes jush: të mos e adhurojmë askënd tjetër, përveç Allahut, të mos i bëjmë atij asnjë shok, të mos e konsiderojmë njëri-tjetrin zot, përveç Allahut”. Mjafton ta lexosh këtë pjesë të Kuranit dhe të shohësh se mbi të gjitha Kurani si libër i shenjtë, i hap rrugë diversitetit, humanizmit, mirëqenies dhe mbi të gjitha tolerancës ndaj grupimeve tjera fetare.
Nëse i referohemi librit të shenjtë Kuranit gjithnjë ka zgjidhje, ka preferenca që shoqërisë i krijon mirëqenie, afërsi, komunikim e mbi të gjitha jetë të përbashkët, duke respektuar njëri-tjetrin. Autori ka njohuri të mjaftueshme për të sintetizuar aq mirë diversitetet dhe për t’i ofruar lexuesve të çfarëdo konfesioni qofshin ata, që të lexojnë dhe të ndahen miqësisht me librin. Unë vlerësoj se libri i thotë disa tabu të pashfaqura e që vështirë mund t’i gjejmë në raste tjera. Autori pa hezitim prek në të gjitha anët pa e lënduar qëllimin e librit. Dhe kjo e bën edhe më të pasur librin “Periodiku shqiptar islam”.
Studiuesi Fahrush Rexhepi aspektin fetar me atë atdhetar e mishëron që rrallë e gjejmë te prijësit fetarë, që i hyjnë një shtylle të tillë. Mund të thuhet lirshëm së është një kaptinë e vështirë dhe që do guximin intelektual e fetar për të shtruar hapur dhe pa dhimbje në kuptimin më pozitiv dy aspekte të rëndësisë tejet të veçantë, siç është atdhedashuria dhe besimi islam. Autori si duket e thotë këtë tabu jo me fjalë të bukura, por me fakte argumentuese dhe shkencore.
Në këtë rast do të përmendja Hoxhë Vakën, që kishte miqësi të mirë me Ismail Qemajlin, i cili para vdekjes thotë: ”Unë do të vdes, po edhe në vdeksha juve të mos ju vijë keq, sepse po vdes me dashurinë e atdheut në zemër për të vazhduar më tutje. Pasi qëllimit nuk ia arrita po vdes i dëshpëruar e s’do të më kalb as toka. Në varrin tim mos më vini gurë derisa të lirohet Shqipëria dhe kur të fitohet liria më vini gurë, duke shkruar shqip”. Kjo më së miri ilustron faktin e shumë hoxhallarëve intelektualë edhe pse nën presionin e kohës, rrethanave që ishin tejet të vështira, atdheun e kishin mbi të gjitha.
Autori jo rastësisht përmend këto figura që e bëjnë librin dhe qasjen e tij tejet shkencore ku lidh trinomin atdhe, fe dhe jetë me të gjithë. Ky libër përplotëson boshllëkun në një masë të mirë për personalitete që për lexuesin kanë qenë të panjohur, por përveç kësaj angazhimin që e kanë bërë për atdhe dhe besimin islam. Ai nuk mbyllet vetëm në brendinë e përpjekjes për islamin sepse sigurisht se do t’u mbetej borxh profesional shumë personaliteteve me ndikim e që kanë përfaqësuar fenë dhe kanë kontribuar në çlirimin e Shqipërisë.
Studiuesi Fahrush Rexhepi, për mendimin tim, me librin “Periodiku shqiptar islam” ka dhënë një ekzemplar për të gjithë ata shkencëtarë, krijues, që të shkruarit ta bëjnë mbi një bazë shkencore dhe mbi hulumtimet nëpër arkivat e ndryshme që lidhen me etnosin shqiptar dhe zhvillimin e jetës së tyre. Nuk janë të rastit që autori nuk lë pa përmendur angazhimet e Hoxhë Kadri Prishtinës, Hoxhë Hasan Vogli, Qamil Bala, Mehmet Akif Ersoj, Haxhi Vebi Dibra, Mulla Hasan Masurica, Ismail Ndroqi, Hafiz Ali Korça, Mulla Idriz Gjilani, Hafiz Ibrahim Dalliu e shumë të tjerë, të cilët po t’i shohim më gjerë janë themeltarë të shtetit shqiptar, madje duke luftuar me të gjitha mjetet, si intelektuale ashtu edhe kombëtare. Kjo pasuri qoftë e hoxhallarëve apo edhe atyre të besimit islam që kanë kontribuar në dy segmente, paraqesin fillimin e ri të rilindjes shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX.
T’i kthehemi trajtimit që e bën autori ndaj shtypit islam shqiptar. Hulumtimet e autorit janë shumëdimensionale dhe arkivore, duke u nisur nga arkivat e Shqipërisë e deri në materialet e gjetura në trevat shqiptare për të shfaqur në mënyrë të denjë shtypin shqiptar islam, nga fillimet e shekullit XX e këtej. Autori tregon se gazeta e parë islame ishte e vitit 1913 “Sedail milet” (Zëri i kombit), që kishte dalë në Shkodër në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në atë turke, siç thekson autori. Natyrisht për shkak të rrethanave të kësaj kohe dhe presionit që ushtrohet ndaj botimit shqip të literaturës islame, ishte e vështirë jetëgjatësia e këtyre botimeve.
Kemi gazetën “Shqipëria” që doli në vitin 1918 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gazetën “Reforma” të vitit 1921 në Gjirokastër etj. Autori përmend një artikull të gazetës “Reforma” me titull “Urdhri i kohës për lëvizjet kombëtare dhe fetare”. Autori i bën një analizë të mirë këtij shkrimi të gazetës, për të cilin unë do të theksoja se si duket reagimi i popullsisë shqiptare në Korçë për vendosjen e despotit të huaj joshqiptar në kishën e Shën Gjergjit, ku shkruan: “As me një mënyrë ose ligj nuk ka arsye të jetë në krye një fetar i një populli që nuk i di as gjuhën as zakonet”, duke thënë se “kishat i kanë ndërtuar gjyshërit tanë dhe janë tonat”, për të vazhduar më tutje artikulli: “Në gjirin e Korçës bujare sot shërbejnë dy priftërinj shqiptarë, të cilët me kryerjen e detyrës në predikimin kombëtar kanë mundur të përmbushin urdhrin e Perëndisë, që nënkupton: Çdo populli t’i flitet në atë gjuhë që e kupton”, përfundon citati.
Studiuesi me paraqitjen e këtij shkrimi edhe një herë tregon qartë se shqiptarët pa dallim fesh kanë pasur një qëllim të përbashkët: luftën e pakompromis për të mbrojtur të drejtat e tyre, qoftë fetare dhe atdhetare. Çka e bën të rëndësishme se vetë autori pa hezitim i qaset vlerësimit të gazetës dhe pa ndonjë hezitim paraqet një fakt historik përmes burimeve arkivore. Autori nuk ndalet me kaq, ai shpalos përmes poezive të ndryshme që lidhen me letërsinë por që kanë të bëjnë me lirinë e atdheut.
Gazetat edhe pse ishin dhe reflektonin frymën islame, ato padyshim paraqesin edhe vlerat kombëtare dhe luftën titanike për të qenë të lirë në tokën mëmë. Kemi edhe revista të tjera kohë pas kohe, si “Vullneti i Popullit”, “Udha e Svërtetës”, “Zani i naltë” etj. Në numrin e tretë të revistës “Udha e Svërtetës”, të botuar në vitin 1923, e kemi një hytbe me titull “O shqiptar mysliman. mëmëdheu po të thërret”. Për të vazhduar më tutje: “Dini pa ran në duart tatyne qi sjanë të zotët atëherë asht ba kjameti i dinit. Vatani po ran në duart tatyne qi skan dashuri atdheu, skan din, skan namuz atëher u bë kijameti i vatani… o biri im në e quan vehten mysliman amanetin që ta ngarkoj populli ngarkoja besnikut, namuzqarit e dindarit që të shpëtoi si fenë ashtu edhe atdheun”. Mjafton të shohësh këtë hytbe dhe mund të konstatosh se shqiptarët,besimtarët, hoxhallarët në këtë rast, në veçanti në plan të parë kishin atdheun. Ishte mesazh për të ardhmen e Shqipërisë, mesazh për ushtrimin e fesë të lirë. Në këtë konstelacion feja islame dhe predikuesit e saj në gjysmën e parë të shekulli XX, jo vetëm që ishin besimtarë dhe ruajtës të fesë, po ata ishin prijatarë të çlirimit të Shqipërisë, respektivisht ruajtjen e atdheut të tyre që ishte i robëruar.
Edhe përmes gazetave fetare, përmes shkrimeve dhe porosive të Allahut dhe profetit Muhamed sintetizuan frymën e atdhedashurisë përmes fesë islame. Të gjitha tezat e deritanishme të shkruara rreth dualitetit mes fesë dhe kombit, libri në fjalë i shpërqendron dhe i vendos në vendin e duhur dhe realist. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore kemi revista si “Kultura Islame”, “Dritë Hyjnore” dhe “Njeriu”. Mjafton të përmenden emrat të cilët janë të shkruar në revistën “Njeriu” dhe mund të konkludosh se çfarë niveli kishte kjo revistë. Në këtë revistë kemi intelektualë si poeti e filozofi Ferid Vokopola, shkrimtari Haki Stërmilli, avokati e poeti Kristo Floqi, prof. L. Eftimiadhi, Vexhi Buharaja. Me shkrime në këtë revistë ishin prezentë edhe Fan Noli, Faik Konica e Lumo Skendo.
Autori i këtij libri shtjellon shtypin islam të kësaj kohe, duke marrë për bazë të dhënat dhe faktet ekzistuese, duke i dhënë qasje reale dhe duke i paraqitur në mënyrë autentike zhvillimet e kohës. Autori iu bën analizë revistave të dala me një maturi shkencore dhe reflektimin që e kishin gjatë vite 20 dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai na ofron më afër realitetit dhe konceptit të kësaj periudhe që ishte mjaft komplekse dhe e pashtjelluar në arkitekturë, fe, atdhe.
Ndriçimi i veprimtarisë së hoxhallarëve, që duket ngaherë në libër se nuk është në plan të parë, është arterie qenësore e vetë librit dhe pika më e ndjeshme që ka reflektuar studiuesi i mirëfilltë Fahrush Rexhepi.
Kapitulli i tretë ose “Roli i fesë islame në funksion të unitetit politik shqiptar, pa dallim feje e krahine etnografike” e përmbush maksimën e shumë hoxhallarëve se pa atdhe s’ka fe. Roli i fesë islame në frymën e unitetit jo veç politik, por edhe kombëtar formësohet edhe më mirë nga studiuesi ynë katërcipërisht. Autori nuk lë hamendje në këtë drejtim, duke dhënë maksimumin në paraqitjen e fakteve dhe argumenteve për një lidhje shpirtërore në ngritjen dhe çlirimin e tokës arbërore përmes ndikimit të besimit islam dhe predikimit të tij në shërbim të kombit dhe atdheut të robëruar.
Autori përmes citateve kuranore harmonizon më mirë se cilido autor prekshmërinë e realitetit që përfaqëson libri i shenjtë. Libri i shenjtë, Kurani, citon: “Nënshtrojuni zotit e profetit të tij dhe mos u përçani shoq me shoq se ligështoheni e ju del era, edhe duroni se perëndia është me ata që durojnë”. Nuk ke çfarë i shton përveçse është një këshillë, mesazh që duhet respektuar njëri-tjetrin, duhet ndihmuar njëri-tjetrin. Thënie sa filozofike aq edhe shkencore, sa humane aq edhe njerëzore. Pra libri i shenjtë është një shkencë në vete që bart mirësinë e popujve dhe assesi përçmimin dhe dallimet njerëzore.
Autorit nuk i ikën përqasja që kishin fetë mes vete, bashkëjetesa, zhvillimi dhe prosperimi. Për të argumentuar mirë, ai merr islamologun me famë botërore T. E. Arnol, i cili ndër të tjera thotë: “Ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve shqiptarë nuk ekziston kurrfarë antagonizmi, dhe kjo ka vazhduar me breza të tërë. Faktori i besimit nuk ka qenë shkas për ndasi në mes tyre. Shqiptarët myslimanë dhe të krishterë flasin të njëjtën gjuhë, kultivojnë tradita të njëjta. Mburrja nacionale është e fuqishme saqë nuk lë mundësi për ndikimin e kundërthënieve fetare, që të ndajë pjesëtarët e një kombi”. Shikuar në tërësi pozitën e shqiptarëve, duke u ballafaquar me çështjen ekzistenciale, dallimet fetare jo vetëm në raport me armiqtë, por edhe me vetë jetën, nuk kanë ekzistuar. Këtë e kanë shprehur edhe shumë intelektualë të mëdhenj të huaj e vendorë. Pra thënë qartë, autori ka spikatur vlerat kombëtare të shqiptarëve përmes burimeve, të gjeturave arkivore që e betononin respektin mbi diversitetin fetar apo politik.
Autori nuk është i mbyllur, nuk bën ikje nga ajo çka është kuranore, sepse vetëm në këtë mënyrë ruhet misioni i Allahut dhe të dërguarit të tij, pejgamberit Muhamed. Në fund do të theksoja se autori Fahrush Rexhepi si për nga përmbajtja e librit, trajtimi, shtjellimi i argumentuar me dokumente, përbën thesar të çmueshëm në kulturën fetare, historike dhe shkencore.