Lufta e pushtetit lokal në Bujanoc për të vendosur drejtorë në institucionet arsimore të kësaj komune dalngadal po tregon “fytyrën” e vërtetë të shkarkimeve dhe emërimeve të drejtuesve të shkollave. Se edhe këtë vit politika do të jetë në shkolla nuk ka dyshim pasi tashmë në redaksinë e portalit informativ Titulli kanë filluar të vijnë edhe ankesat e para nga punëtorët rreth punësimeve në shkollat e kësaj komune.
Si duket avazi po vazhdon, Këshilla të paligjshme, drejtorë të paligjshëm dhe tash punësim në baza partiake.
Ditë më parë kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi mbajti edhe një mbledhje me drejtorë dhe ushtrues detyrash të drejtuesve të këtyre institucioneve duke i dhënë edhe instruksionet rreth punës që duhet të bëjnë.
Informacionet që vijnë nga terreni flasin për pakënaqësi në angazhim të mësimdhënësve të cilat bëhen me kushte të tilla që deri më sot nuk janë parë që të praktikohen në ndonjë shkollë të këtij vendi, përderisa në anën tjetër vijnë kërkesat e prindërve për ndryshime të drejtimeve të fëmijëve të tyre të cilët janë radhitur në drejtime të cilat nuk i kanë përzgjedhur filloristët.
Se si do të vazhdojë punësimi në shkollat fillore dhe atë të mesme në Bujanoc do të tregojnë ditën në vijim.
Një duhet të kenë të qartë drejtuesit e këtyre institucioneve se në shkolla punësimi duhet të bëhet duke zgjedhur profesorët me përvojë dhe jo ata të politikës, duke vënë në rend të parë nxënësin dhe jo përmbushjen e apetiteve të subjekteve politike.
“Zbutja e papunësisë nuk bëhet në institucionet që si qëllim kryesorë kanë dhënien e dijes, papunësinë duhet ta zbusin me zhvillim ekonomik, i cili tashmë me vite ka ngecur në komunë të Bujanocit”, thonë bashkëbiseduesit për Titullin, të cilët tashmë kanë denoncuar me emër e mbiemër drejtorët dhe ish drejtorët e institucioneve që angazhohen për të punësuar simpatizantë dhe jo profesorë të denjë.