Duke mbjellë lule dhe përcjellë ngjyra pranvere në pikturat e tyre, nxënësit e shkollës së mesme të artit pamor “Adem Kastrati”, sot para platosë së teatrit të qytetit, kanë shënuar Ditën e Pranverës.
Drejtori i shkollës së artit, Roland Masurica ka thënë se projekti i tyre, i mbështetur dhe nga Drejtoria Komunale e Arsimit, ka pasur për qëllim reflektimin e dashur ndaj ambientit në të cilin jetojmë dhe i cili është pjesë kuptimplote e vetë jetës të cilën e jetojmë.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, z.Nazim Gagica, pasi ka mbjellë lule ka falënderuar nxënësit dhe drejtorinë e shkollës.
“Në emër të Drejtorisë Komunale të Arsimit ju jam mirënjohës për kreativitetin që e ofroni gjithherë si shkollë e artit pamor. Nxënësit tuaj, respektivisht artistët e ardhshëm, me këtë gjest të mbjelljes së luleve dhe pikturimit që po bëjnë po e shënojnë në mënyrën më të mirë të mundshme Ditën e pranverës”, ka thënë Gagica duke shtuar që Drejtoria e arsimit do të vazhdojë t’i mbështes, secilën herë, aktivitetet si ky që organizohen nga kjo shkollë.
Foto: Agim KAJTAZI