Policia e Kosovës, sot në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, me ceremoni solemne ka shënuar përvjetorin e 19-të themelimit të saj.
Në këtë ceremoni solemne morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës si: Presidenti i vendit, z. Hashim Thaçi, Kryeministri, z. Ramush Haradinaj, Ministri i Punëve të Brendshme z. Bejtush Gashi, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë, ambasadorë, përfaqësues të misioneve diplomatike, zyrtarë të policisë si dhe familjarë të ftuar të zyrtarëve policor.
Këtë përvjetor me prezencën e tyre e kanë nderuar edhe drejtorët/zëvendësdrejtorët e policive të vendeve të ndryshme të botës si nga: Shqipëria, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi, Guinea Bisao, Kosta Rika, Bregu i Fildishtë, Panamaja dhe Senegalit, të cilët ishin mysafirë nderi të Policisë së Kosovës.
Gjatë shënimit të kësaj ngjarje të rëndësishme lidhur me të arriturat dhe rezultatet e Policisë së Kosovës dhe sfidat e përgjithshme që ka pasur ky institucion gjatë viteve të zhvillimit dhe profesionalizimit, fjalimin hyrës e mbajti Drejtori i Përgjithshëm i Policisë z. Rashit QALAJ, ndërsa nga një fjalë rasti mbajtën Presidenti i Republikë së Kosovës, Kryeministri i RKS-së dhe Ministri i Punëve të Brendshme.
Drejtori i Përgjithshëm i PK-së z.Qalaj në një pjesë të fjalimit të tij tha se, “Jemi krenarë me parimet me të cilat udhëhiqet PK-ja: trajtimi i barabartë dhe i drejtë për të gjithë, respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, paanshmëria dhe neutraliteti lidhur me bindjet politike, integriteti, ndershmëria dhe përgjegjësia në shërbimin publik, transparenca, legjitimiteti, përshtatshmëria dhe proporcionaliteti.
Policia ka trajtuar me prioritet parandalimin e aksidenteve në trafik dhe shtimin e sigurisë në rrugë.
Ngritjen e sigurisë afër shkollave, parandalimin dhe luftimin e narkotikëve,. Janë ndërmarrë aktivitete në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, krimeve ekonomike dhe korrupsionit. Luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe forcimin e kontrollit të kufijve.
Jemi duke punuar ngushtë me autoritetet vendore dhe partnerët ndërkombëtar drejt anëtarësi në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë si INTERPOL dhe EUROPOL.
Ne po zhvillohemi komfor nevojave dhe sfidave të brendshme dhe globale.
Ne, në asnjë moment nuk do t’i harrojmë 19 zyrtarët policorë të cilët dhanë jetën e tyre në krye të detyrës.
Ne kemi mision të shenjtë, të ofrojmë siguri për qytetarët pa dallim. Ne e duam punën tonë, e duam vendim tonë dhe këtë mision të jashtëzakonshëm”.
Kurse Presidenti Thaçi, gjatë fjalimit të tij ndër të tjera tha se, “Policia e Kosovës që nga ditët e para e posaçërisht pas Pavarësisë së Kosovës është bërë shtylla e parë e shtet ndërtimit, institucioni më i besueshëm dhe i respektuar në Republikën e Kosovës. Raportet ndërkombëtare e vendosin Policinë e Kosovës lartë nga krahasim me policinë e rajonit. Ju i keni dhënë Kosovës edhe hero, si Enver Zymberaj dhe të tjerë”.
Ndërsa Kryeministri z.Haradinaj potencoi se “Themelet e jetës sonë të re në Kosovë kemi filluar t’i vendosim të gjithë së bashku. Një themel i rëndësishëm i jetës sonë të re është Policia e Kosovës, e cila është e të gjithëve dhe është krijuar me ndihmën e të gjithëve”, tha ndër të tjera kryeministri Haradinaj.
Ministri i Punëve të Brendshme z. Gashi, gjatë fjalimit të tij përgëzoi Policinë e Kosovës për punën, angazhimin dhe përkushtimin në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja karshi vendit dhe qytetarëve, si dhe njëkohësisht shfrytëzoi rastin për ti uruar z. QALAJ emrimin në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së.
Pjesë e rëndësishme e kësaj ceremonie ishte gradimi i gjashtëdhjetë e gjashtë (66) zyrtarëve policor prej tyre 5 Nënkolonel, 4 Major, 57 Kapiten, si dhe ndarja e 28 Medaljeve prej tyre 1 për shpëtim jete, 9 për shërbim të dalluar, 18 Medalje policore për Lëvdim, e po ashtu janë ndarë edhe 26 Lëvdata dhe 22 Mirënjohje.