Vaxhid Rexhepaj, shefi i kabinetit të Kryetarit të Kamenicës, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Zotrim Kastrati, kanë pritur në takim Rudina Nalbani Hoxha menagjere e programeve në zyrën e Friderich Ebert Stiftung (FES) si dhe menaxheren e zyrës së kësaj organizate, Nora Luzha Tahiri .
Në këtë takim është diskutuar lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e mini-linjës së transportit publik falas për një periudhë prej 4-javësh për qytetarët e Komunës së Kamenicës.
Shefi i Kabinetit, Vaxhid Rexhepaj, në këtë takim tha se një marrëveshje e tillë është e mirëseardhur pasi që Kamenica njihet si komunë e gjelbër, dhe kjo do të kontribonte edhe më shumë në mbrojtjen e ambientit.
Ndër të tjera në këtë takim nga përfaqësueset e organizates FES u tha se integrimi i transportit të qëndrueshëm nga perspektiva e nivelit të politikave, demonstron një përkushtim për adresimin e sfidave urgjente mjedisore dhe shoqërore, degradimit mjedisor dhe varfërisë. Ndër të tjera ato theksuan që përmes kësaj marrëveshje synohet që të promovohet politika që mbështesin dhe financojnë sisteme të qëndrueshme të transportit, si dhe krijimi i komuniteteve më të gjelbra, më të shëndetshme dhe më inkluzive. /2LONLINE/