Anija kozmike “Space X” është ngritur me sukses në qiell të shtunën në mëngjes. Ky mision paraqet hapin e parë të Shteteve të Bashkuara për përmbushje të ambicieve për dërgim të astronautëve në hapësirë nga toka amerikane.
Anija kozmike pa njerëz u nis nga Qendra Hapësinore “Kennedy” e NASA-s në orën 2 e 49 minuta të mëngjesit sipas kohës lokale, ashtu siç ishte planifikuar. Në të është vendosur një kukull në formën e njeriut, e cila ka receptorë për të marrë të dhëna lidhur me udhëtimin.
Ky fluturim do të ofrojë të dhëna thelbësore për NASA-n sepse përmes tyre do të merret vendimi për realizimin e fluturimit me astronautë brenda saj. Që nga viti 2011, agjencia amerikane ka qenë e varur nga anija kozmike ruse, “Soyuz”, për t’i dërguar astronautët në hapësirë, me ç’rast paguan 81 milionë dollarë për një ulëse.