Xherdan Shaqiri thotë se dëshiron të kontribuojë në finalen e së shtunës së Ligës së Kampionëve për Jurgen Kloppin, të cilin e kishte mposhtur me Bayernin kur gjermani ishte trajner i Dortmundit në vitin 2013.
Liverpooli ka qenë në formë mjaft mbresëlënëse këtë sezon, mirëpo përkundër kësaj, ata mund ta mbyllin sezonin pa asnjë trofe nëse pësojnë disfatë kundër Tottenhamit nesër në Madrid.
Për këtë trofe shprehet optimist, futbollisti nga Kosova, Xherdan Shaqiri.
“Mendoj se ne e kemi pasur një sezon të mrekullueshëm dhe e kemi një finale të madhe para vetes. Do të bëjmë gjithçka për ta fituar këtë titulli sepse klubi e meriton, tifozët e meritojnë dhe lojtarët e meritojnë”, ka thënë Shaqiri.
Kur u pyet nëse kjo është ndeshja më e madhe e karrierës së tij, ai tha: “Është e vështirë të them kështu, është njëra ndër ndeshjet më të mëdha sepse është një ndeshje e veçantë. Dua ta përjetoj atë emocion sërish, veçanërisht me këtë klub tani sepse kanë qenë duke e pritur këtë sukses për një kohë të gjatë”, ka perfunduar Shaqiri.
27-vjeçari veçse e ka një medalje të artë të Ligës së Kampionëve, nga triumfi me Bayernin në vitin 2013, por ai insiston se këtë herë do të jetë më ndryshe.