Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqir nuk e kanë përjashtuar mundësinë që në të ardhmen ta veshin fanellën e Përfaqësueses së Kosovës, por kanë pranuar se tash për tash nuk janë duke menduar për një gjë të tillë dhe janë plotësisht të përqendruar në Përfaqësuesen e Zvicrës.
Futbollisti i Borussia Monchengladbachut, Granit Xhaka, ndihet i lumtur që Kosovës iu lejua zhvillimi i ndeshjeve miqësore ndërkombëtare dhe shpreson që sa më shpejt t’i lejohet edhe pjesëmarrja në kualifikimet për Kampionatin botëror dhe atë evropian. “Vendimi që Kosova të luajë ndeshje miqësore është hapi i parë. Për çdo shqiptar të Kosovës, është një ëndërr që ta ketë ekipin e vetë përfaqësues, por që për momentin nuk ka të drejtë të marrë pjesë në kualifikimet për Botëror apo Evropian. Mirëpo, kjo nuk është shumë larg. Jam krenar që Kosova po shkon në atë rrugë”, ka thënë Xhaka për portalin 20min.ch.
“Unë jam rritur në Zvicër, por asnjëherë nuk i kam mohuar e as nuk do t’i harroj kurrë rrënjët e mia. Por, për të luajtur për Kosovën, nuk jam duke menduar për momentin. Kush e di se çka do të ndodhë në të ardhmen? Ndoshta do të jetë një trajner i Kombëtares zvicerane që do të thotë: Granit, nuk kam nevojë më për ty”, theksoi Xhaka.
Ndërsa, edhe Xherdan Shaqiri ka thënë se do të mendojë për Përfaqësuesen e Kosovës vetëm atëherë kur Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) të pranohet me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Futbollit.
“Derisa nuk ka asgjë konkrete, nuk kam pse të mendoj për këtë punë. Por, nëse FIFA e pranon Kosovën, unë duhet ta rivlerësoj situatën. Sidoqoftë, për këtë nevojiten vite”, ka deklaruar Shaqiri për uebfaqen zvicerane. solothurnerzeitung.ch’.