Ka filluar, edhe atë…, anë e pa anë, loja e cakrrakut politik si pasojë e traditës së bërë gugluç në trurin mini-neuronesh të lojtarëve kaçikrra.
Reis Mirdita
Isa, si dinak i lashtë, me kulturë e traditë nga koha e kaluar, me duar në xhepa, e avancoi këmbësorin gjer në vijën e shtatë, me shpresë ta shndërrojë në damë dhe mëtej t’ia hapë rrugën si Xhemal Bijediqit komunistat, dhe ta mjelin me gënjeshtra Lindjen.
N’anën tjetër, Veseli luan dama, lojë kjo me “16 gurës” ku në të vërtetë, lojtarët në tabelë shahu, i radhitin secili në anën e vet, në dy rreshtat fillestarë, – njëri 16 kokrra gërtukë (misër); tjetri 16 kokrra groshë. Qëllimi përfundimtar është me ia “ngrënë” kokrrat kundërshtarit por për t’ia arritur, duhet me shndërruar një ose më tepër dama e kjo, duke i bartur me mjeshtri gjer në vijën e parë të armikut ndonjë prej kokrrave. Dhe Veseli e afroi një por u bë një përzierje e pa precedencë e publikut…
Ka të tjerë që luajnë shah si Isa por lojën e tyre e bazojnë në transformim të këmbësorëve apo si që preferojnë ta quajnë vetën të tillët, piona, t’i bartin në vijën e tetë, gjegjësisht të parën dhe t’i shndërrojnë në oficerë, topa a kuaj dhe me këtë, të forcohen për ditën kur do të hidhen kokrrat dhe ta fitojnë ndeshjen me ndihmën e argatëve legalë e ilegalë, domethënë, që “punojnë në “t’zezë.
Por mos harroni: Në këto lojëra ka edhe vjedhje kokrrash. Kujdes!
PS.
Në Shkup luajnë “dangërxhik” me nëntë gurë e në Tiranë…. Ah, në Tiranë janë rrugës për të zbuluar një lojë të re: “Fërc-fërc Ilir!”