Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani është pritur në takim nga Kryeshefi ekzekutiv, Burhan Isufi dhe Stafi menaxhues i Ndërmarrjes Publike Lokale Stacioni i Autobusëve, Gjilan.
“Qëllimi i këtij takimi ka qenë diskutimi rreth fillimit të ndërtimit të ri të Stacionit të Autobusëve në Gjilan, i cili projekt është pjesë e një marrëveshje bashkëpunimi të nënshkruar mes Komunës së Gjilanit dhe Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), e cila synon përmirësimin e infrastrukturës së transportit publik në këtë komunë”, ka bërë me dije drejtori Shabani.
Ai tha se vlera e përgjithshme e këtij projekti është 1,136,010.34 € dhe kohëzgjatja e përfundimit të këtij projekti është për dy vite 2025-2026.
“Gjatë takimit është bashkëbiseduar për të bashkërenditur të gjitha aktivitetet dhe nevojat e zhvillimit të mëtutjeshëm të kësaj ndërmarrje, si digjitalizimi i të gjitha shërbimeve ndaj Qytetarëve dhe Operatorëve Ekonomik dhe për fillimin e zbatimit të menaxhimit sa më efikas të parkingjeve publike-komunale, ka thënë drejtori i DZHE-së, Enver Shabani. /2LONLINE/