Shkruan: Florim Zeqa
Sikurse që dallon fjala prej fjalës, dallon edhe shkrimi prej shkrimit. Varësisht prej përmbajtjes së shkrimit variojnë edhe reagimet e lexuesve. Pavarësisht reagimeve, qofshin ato pozitive apo negative, për autorin shkrimi mbetet i pandryshueshëm dhe i shënjuar në ditarin elektronik të kohës (Internet).
Sa më afër realitetit, aq më shumë kundërshtime!
Secili shkrim e ka rëndësinë, vlerën dhe mesazhin e vet, por shkrimet analitike janë më të ndjeshme për opinionin publik! Përderisa shkrimet e karakterit socio-ekonomik e zgjojnë fare pak kurreshtjen e lexuesit, ato të aktualitetit politik e elektrizojnë opinionin publik!
Sadoqë mundohem të jemë i përmbajtur dhe balancuar në shkrime, megjithatë nuk mungojnë reagimet e lexuesve!
Sadoqë shkrimet të jenë të balancuara në aspektin analitik, krijojnë mëdyshje tek lexuesi për “anim” partiak!
Në momentin që fokusin analizës politike e vëjë mbi një subjekt të caktuar politik, aktivizohen lexuesit në rrjetet sociale, duke më etiketuar me një grup të interesit brenda sojit të njëjtë politik!
Reagimet e tilla nuk më bëjnë aspak përshtypje, sa më bëjnë përshtypje reagimet e lexuesve kur përqendrohem rreth një çështje kruciale për vendin, siq është pjesa veriore e veriut, e cila çdo herë prodhon debat përbajtësor dhe konstruktiv.
Nga shkrimet e mia analitike e kam kuptuar një gjë, sa më afër realitetit aq më shumë kundërshtime, sa me afër imagjinatës aq më pak reagime të lexuesve!
Vetëdijësimi për ndryshime pozitive, qëllim parësorë i shkrimeve të mia analitike
Çdo shkrim analitik e bazoj në realitet, duke e vërtetuar me fakte dhe argumente, duke ja bërë gjithnjë të qartë lexuesit, kjo është e vërteta dhe ky është interpretimi im!
Rrethanat politike nganjëherë prodhojnë presione, shantazhe, madje edhe kërcënime ndaj analistëve dhe gazetarëve, gjëra të cilat për fat të keq kohëve të fundit janë në rritje e sipër!
Kur janë në pyetje kërcënimet dhe shantazhet që vijnë nga politika, asnjëherë tek unë nuk ka ardhur në shprehje tërheqja e shkrimit për shkak të kërcënimit, por e kam mbrojtur me fakte dhe argumente të vërtetën e prezentuar në shkrimin analitik.
Në rrethanat e pluralizmit politik, analiza nuk guxon të jetë me ngjyrime partiake dhe as në shërbim të grupeve të interesit. Për këtë arsye, çdo herë përpiqem të jemë zë plural i shoqërisë sonë, zë kreativiteti dhe zë i fuqishëm i ndryshimeve pozitive, duke u munduar ta lë një imazh sa më pozitiv të gazetarisë tek lexuesit e përditshëm të shkrimeve të mia analitike.
Pra, shkrimet e mia analitike nuk i bëj për ngritje të imazhit personal dhe as për klikime në rrjetet sociale, po i bëjë me qëllim të ngritjes së vetëdijes qytetare për nevojën e ndryshime pozitive dhe substanciale në përputhje me rrethanat e kohës. /2LONLINE/