Oda e Afarizmit të Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Pronësisë Industriale – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Zyrën për të Drejtat e Autorit – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Doganën e Kosovës organizuan sesionin informues për bizneset anëtare me temën “Rëndësia e Pronësisë Intelektuale”.
Koordinatorja Qëndresa Ibrahimi falënderoi bizneset për gatishmërinë për të qenë pjesë e këtij takimi, dhe njëkohësisht përfaqësuesit e institucioneve për bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të qenë pranë bizneseve për të i informuar më detajisht lidhur me rëndësinë e pronësisë intelektuale. Në këtë sesion të ftuar për të prezantuar ishin:
Nezir Gashi Drejtor i Agjencisë për Pronësi Industriale në MTI, i cili trajtoi temën “E drejta e Pronësisë Industriale”, dhe informoi më detajisht bizneset lidhur me objektet e pronësisë industriale, duke përfshirë: marka tragtare, patenta, dizjani industrial dhe treguesit gjeografik, duke dhënë edhe detaje lidhur me procedurat e aplikimit.
Valon Kashtanjeva drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në MKRS përgëzoi OAK-në për organizimin e sesionit informues me bizneset. Kashtanjeva trajtoi temën “Roli dhe Rëndësia e të Drejtës së Autorit”, duke i informuar bizneset në detaje lidhur me të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta.
Sadije Topojani udhëheqëse e sektorit të Pronësisë Intelektuale në Dogana, trajtoi temën Roli i Doganës së Kosovës në mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale. Topojani theksoi që janë të angazhuar maksimalisht në zhdukjen e imitimit të produkteve, gjë për të cilën vazhdimisht kanë realizuar disa operacione në mënyrë që bartësit e së drejtës të jenë të mbrojtur me ligj në këtë drejtim.
Në fund të këtij takimi, bizneset pjesëmarrëse patën mundësi që të diskutojnë për mes adresimit të problemeve me të cilat ato po përballen.
Oda e Afarizmit të Kosovës përmes organizimeve të tilla është e interesuar që të mbajë të informuara bizneset anëtare për çdo temë që konsiderohet me rëndësi për ato.