Ivan Vukoviq është një prej ciceronëve më të njohur në Kroaci, i cili e kalon pjesën më të madhe të kohës si guida e turistëve në një kryeqytet që nuk ekziston në të vërtetë, por në serialin e famshëm “Game Of Thrones” dhe ai është “King Landing”, Kryeqyteti i Westeros, të Shtatë Mbretërive.
Sipas 38-vjeçarit Vukoviq, fama që mori Dubrovniku nga ky serial, regjistrimet e të cilit filluan në vitin 2011, ka pasur avantazhe dhe disavantazhe.
Seriali “Games of Thrones” ka qenë një ndihmë e madhe për biznesin e tij dhe ka sjellë një numër të madh turistësh në qytet.
“Seriali ka qenë befasues. Numri i turistëve është rritur aq shumë saqë ne nuk dimë si t’i menaxhojmë turmat e turistëve, të cilat gjatë sezonit turistik arrijnë dhe e tejkalojnë pikun”, thotë Vukoviq.
Më shumë se gjysma e tureve turistike kanë të përfshirë vizitën në “King’s Landing”. Pjesa tjetër e tyre janë përqendruar në historinë e vërtetë të Dubrovnikut, një trashëgimi kulturore në mbrojtje të UNESCO-s, që daton prej shekullit VII, me shumë kisha, muze dhe kështjella të ndërtuara buzë Adriatikut.
Për vendasit nuk përbën çudi kur turma të mëdha turistësh mblidhen në shkallët e stilit barok të jezuitëve dhe bërtasin “Turp, Turp, Turp”, duke përsëritur një prej skenave më të famshme të serialit, ku një prej protagonisteve kryesore Cersei Lannister, detyrohet të shëtisë e zhveshur nga këtu deri në Red Cape, pas rrëfimit të tradhtisë bashkëshortore.