Kriza energjetike e cila ka prekur të gjitha shtetet evropiane e më gjerë tashmë po ndjehet edhe në Kosovë, ndërsa rritja e kostos së energjisë elektrike do të rëndojë mbi të gjithë konsumatorët, por në rend të parë ata afaristë. Kjo do të frenojë edhe rritjen ekonomike dhe do të rrezikojë edhe mijëra vende të punës, ndërsa shqetësuese është mungesa e një plani konkret të veprimit nga ana e Ministrisë së Ekonomisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
Kjo u tha gjatë një forumi të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me përfaqësues të sektorit privat, përfaqësues të institucioneve të shtetit, ndërmarrjeve për furnizim me energji elektrike dhe ekspertë të ekonomisë.
Genci Beribashi, menaxher i përgjithshëm i ndërmarrjes Ferronikeli tha se si pasojë e katërfishimit të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare, me pjesëmarrje signifikante në koston e operimit, kjo ndërmarrje është detyruar të ndërpresë operimin e saj. AI tha se institucionet e vendit duhet të adresojnë me urgjencë çështjen e furnizimit me energji elektrike, derisa qasja duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jodiskriminuese edhe për operatorët ekonomikë të cilët furnizohen me energji elektrike në tregun liberal.
Rudina Heroi Puka, përfaqësuese e Kompanisë për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) tha se përgjatë viteve kërkesa për energji elektrike është rritur në mënyrë disproporcionale me kapacitetet gjeneruese vendore. Ajo tha se mosadresimi i çështjeve aktuale nga ana e institucioneve vendore mund të rrezikojë furnizimin e rregullt me energji elektrike, e ky adresim duhet të reflektohet me subvencionim të energjisë ose edhe ndryshim të menjëhershëm të tarifave të energjisë elektrike, për të gjithë konsumatorët.
Në anën tjetër, udhëheqësi i Departamentit të Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë, Luan Morina, tha se derisa ka hapësirë për shqetësim, nuk duhet krijuar panik, meqë ka energji të mjaftueshme në treg, duke folur edhe për punën e task forcës së krijuar për gjenerimin e rekomandimeve për vendimmarrësit, për përballim me efektet e krizës së mundshme. Ai po ashtu foli edhe për punën që Ministria po bënë në përpilimin e Strategjisë së re Energjetike të Kosovës.
Ekspertja e energjisë, Pranvera Dobruna Kryeziu, foli për pasojat e mungesës së proaktivitetit në fushën e energjisë. Ajo po ashtu foli edhe për mosadresimin e çështjes së përballueshmërisë së furnizimit të energjisë elektrike, e që duhet të jetë në fokus të punës së institucioneve të vendit, edhe po ashtu mosndjekjes së trendëve ndërkombëtare energjetike për vite me radhë, përfshirë edhe investimin në kapacitetet ruajtëse të energjisë elektrike.
Arian Zeka nga Oda Amerikane dhe Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës shprehën shqetësimin e tyre në emër të bizneseve se rritja e kostos së furnizimit me energji elektrike dhe mospërkrahja institucionale do të rrisë koston e operimit të bizneseve, e sidomos atyre eksportuese, derisa kërkuan transparencë më të madhe dhe komunikim të institucioneve të vendit me të gjithë hisedarët përfshirë edhe përfaqësuesit e sektorit privat. Ata kërkuan që subvencionimi i mundshëm nga ana e shtetit të reflektojë edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm, duke rekomanduar që ndërmjet dy leximeve të Projektligjit për Buxhetin 2023 para aprovimit përfundimtar të tij, të ndahen mjete buxhetore për adresim të krizës energjetike. /2LONLINE.com/