Sektori i sigurimeve duhet t’i nënshtrohet parimeve të njëjta të tatimit në të ardhurat e korporatave si pjesa tjetër e ekonomisë, në mënyrë që t’i hapet rruga zhvillimit të këtij sektori.
Kjo ishte kërkesa kryesore e kompanive të këtij sektori në një takim të mbajtur në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku u diskutuan sfidat kryesore të cilat rëndojnë barrën në sektorin e sigurimeve.
Përfaqësuesit e kompanive të sigurimit shprehën besimin se situata e tanishme, ku tatimi në të ardhura korporative mblidhet si përqindje e primeve bruto për vitin respektiv dhe jo bazuar në fitimin real të kompanive, ashtu siç është rasti me kompanitë e të gjithë sektorëve të tjerë, gjë që sipas tyre paraqet diskriminim të qartë dhe trajtim jo të drejtë që pamundëson zhvillimin e sektorit.
Rrjedhimisht, kompanitë e sektorit të sigurimeve e shohin si të domosdoshëm ndryshimin e dispozitave përkatëse të Ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, gjë që ishte paraparë edhe si masë e Pakos Fiskale 2.0, aprovuar nga Qeveria në qershor të këtij viti.
Në vijim të takimit u diskutuan edhe disa sfida me të cilat ballafaqohet ky sektor, duke përfshirë moszbatimin e duhur të Ligjit për Automjete, ku sipas përfaqësuesit e kompanive, humbjet për buxhetin e Republikës së Kosovës si rezultat i mos regjistrimit të plotë të automjeteve arrijnë vlera milionëshe.
Oda Amerikane ofroi mbështetjen e saj për sektorin në funksion të avokimit të përbashkët për krijimin e kushteve të përshtatshme të të bërit biznes dhe tërheqjes së investimeve të huaja direkte.