Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, është shprehur kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale. Ai ka thënë se deputetët që mendojnë për të mirën e vendit nuk duhet ta mundësojnë kalimin e kësaj iniciative në Kuvend.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Sejdiu ka vlerësuar se pushtetarët për interesa të ngushta personale po duan t’ia vënë flakën edhe vendit.
Ai ka thënë se iniciativa për shfuqizimin e Speciales e dëmton seriozisht reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës në sferën ndërkombëtare.
Madje Sejdiu ka bërë me dije se tashmë janë vërejtur pasojat e para. Në këtë kontekst, ai ka treguar se për herë të parë në Parlamentin Evropian nuk është bërë nënshkrimi i konkluzioneve në kuadër të MSA-së.
Sejdiu ka kritikuar punën e qeverisë, duke thënë se çdo ditë e saj përcillet me skandale të cilat, sipas tij, kanë për qëllim ta tërheqin vëmendjen nga shëndetësia e shkatërruar, arsimi i degraduar, numri i madh i të papunëve, drejtësia tërësisht jofunksionale dhe kështu me radhë.
BURIMI: EPOKA E RE