Nga Stublla e Vitisë ishte personi i parë në Kosovë i cili doli të jetë pozitiv me virusin Covid-19.
Sarë Gjergji, veprimtar i njohur nga Stublla, fshat ky qe 6 ditë nën karantinë për shkak të shfaqjes së koronavirusit, thotë se izolimi i fshatit është i panevojshëm sepse sipas tij, në fshat nuk ka koronavirus.
Në një deklaratë për Plus TV, ai ka folur për gjendjen e fshatit në izolim, ku sipas tij, qytetarët vështire do ta durojnë këtë gjendje gjate.
Gjergji ka ngritur dyshime se situata me koronavirus nisur nga Stublla po bëhet për motive politike, pasi sipas tij, ky virus në fshat nuk është real.
Ai thotë se rastin e Stubllës me koronavirus po e përdorin për politika te tjera. Ai kërkon të hiqet izolimi për fshatin dhe jeta t’i kthehet normalitetit.
“Stublla është dyfish e izoluar, të mos them dhe e stigmatizuar në sytë e të tjerëve. Stubllasit si qytetarë të Vitisë, kanë të drejtë lëvizjeje në tërë territorin e Komunës, por kjo na pamundësohet për shkak të patrullës së Policisë së Kllokotit që është e pozicionuar tek restorant “Antoni”, pjese që bie në territorin e Komunës së Kllokotit. Pra, ne po i vuajmë pasojat e Asociacionit…”, tha ai.
“Do detyrohemi që pa leje të policisë të kalojmë drejt Vitisë dhe askush nuk ka të drejtë të na privojë nga liria e lëvizjes, as edhe një person nuk është i prekur nga COVID-19. Ne banorët jemi të gjithë mirë dhe çështja e virusit është inekzistente,” deklaron ai.
“Dyshojë që 77 vjeçari, të cilin e kam familjar të jetë me virus, ai ka probleme tjera shëndetësore, ai ka me vite që vuan nga frymëmarrja, meqë ka probleme me mushkri, po ashtu edhe diabetik, pra, nuk ka virus as ai, dyshojë se kjo po bëhet për çështje politike, dhe është sajuar”, thotë Gjergji.
Gjergji tha se familja e personit të prekur me koronavirus që ndodhen në Itali, nuk kanë shenja virusi. Tha se “asnjë person që kemi pasur kontakte me të nuk kemi simptoma të dyshimta dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore”.
“Krejtësisht e panevojshme është mbajtja në izolim e Stubllës, ne, po të ishim të infektuar, do kishim një shenjë, një simptomë, ata (të infektuarit” janë në gjendje të shkëlqyeshme shëndetësore, të gjithë janë mirë, edhe sipas mjekëve, pra, është panik e panevojshme, pra, Stublla, nuk vuan nga COVID-19, nëse jemi të sëmurë, pse nuk i ofrohet ndihmë mjekësore gjithë qytetareve, pse nuk kujdeset kush për ne, nëse jemi në kaq rrezik, madje dhe për të tjerët. Krijo panik; kërko gjendje të jashtëzakonshme, prish qeveri…”, shtoi ai.
Ndryshe, sipas ekspertëve, për koronavirusin, periudha e karantinës është 14 ditë nga data e fundit e ekspozimit, sepse 14 ditë është periudha më e gjatë e inkubacionit që shihet për sëmundje të ngjashme.
Kujtojmë që numri i të infektuarve me virusin korona sipas të dhënave zyrtare nga IKSHPK ka shkuar në 20 të infektuar, e 7 janë nga Stublla. Kryetari i Komunës, Sokol Haliti në vazhdimësi është ankuar se Qeveria nuk po bashkëpunon me të dhe se po kanë mungesë të pajisjeve mbrojtëse.
Në mesin e masave të Qeverisë së Kosovës për të luftuar coronavirusin është edhe vendimi i cili ndalon hyrjet dhe daljet nga territori i komunës së Vitisë. Kurse fshati Stubëll prej nga vijnë shtatë personat e infektuar me COVID-19, tashmë që nga e premtja mbrëma është në karantinë të plotë.
BURIMI: PlusTV