Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë të Kosovës, sot zyrtarisht u bë dorëzimi-pranimi i detyrës së ministrit të MFSK-së.
Ministri i deritashëm z. Demolli, me këtë rast, i uroi detyrën e ministrit Rrustem Berishës duke i dëshiruar punë të mbarë dhe suksese në drejtimin e MFSK-së. Ai e njoftoi ministrin e porsazgjedhur me të arriturat e deritashme të FSK-së, si dhe me projektet të cilat janë në vazhdim.
Gjithashtu, z. Demolli ka falënderuar gjithë stafin e ministrisë dhe FSK-së, për bashkëpunimin e suksesshëm gjatë rrugëtimit të përbashkët në ndërtimin dhe zhvillimin e MFSK-së dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Nga ana e tij, ministri i ri, z. Berisha pasi pranoi detyrën, falënderoi ministrin Demolli duke e përgëzuar për sukseset që ka shënuar kjo forcë, dhe njëherësh konfirmoi përkushtimin e tij për të vazhduar me angazhim maksimal në drejtimin dhe realizimin e detyrave dhe projekteve të përgjithshme për Ministrinë dhe FSK-në.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm edhe zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, drejtori për Politika dhe Plane, z. Faruk Geci, drejtori dhe zëvendësdrejtori i NLAT-it (Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s për FSK-në), gjeneral brigade Dietman Mosmann dhe z. Mark Theobald, ish-këshilltari ushtarak i ministrit Demolli, kolonel Fadil Hadërgjonaj dhe shefi i Kabinetit të z. Demolli, z. Latif Leka.