Ka së paku tri vite që presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq përsërit refrenin e tij se në bisedimet Kosovë-Serbi nuk mundet që dikush t’i marrë të gjitha, e dikush asgjë. Kjo kërkesë e tij, e përsëritur sa herë flet për Kosovën, e në anën tjetër, heshtja e plotë e institucioneve të Kosovës duke mos reaguar asnjëherë ndaj këtyre deklaratave, ka ndikuar që edhe faktori ndërkombëtar ta marrë kërkesën e Vuçiqit si të mirëqenë, e madje edhe si platformë për arritjen e marrëveshjes. “Vuçiqit duhet me i dhanë diçka”.
Shkruan: Shemsi Syla
Megjithëse ka diskutime të shumta lidhur me versionet finale të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjërat janë ende të paqarta. Kosova nuk ka ndonjë draft marrëveshje e as ndonjë konsensus politik në raport me bisedimet Kosovë – Serbi, prandaj flitet se në tavolinë do të jenë dy opsione: Shkëmbimi i territoreve ose Asociacioni i komunave me shumicë serbe me kompetenca të zgjeruara. Në Kosovë aktualisht kemi dy tabore; ai për mos ndryshimin e kufijve në asnjë format dhe tjetri; për shkëmbime territoriale apo ndryshim të kufirit aktual Kosovë – Serbi.
Versioni me ndryshimet territorial
Opinioni publik është njoftuar për versione të ndryshme të konceptit politik dhe gjeostrategjik të zgjidhjes së problemit. Por, versioni më i përmendur dhe më i debatuat mes presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, është ai lidhur me shkëmbimet territoriale. Besohet ose parashikohet që tri komunat veriore të Kosovës (Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi) t’i bashkëngjiten Serbisë, ndërsa komuna e Preshevës, komuna e Bujanocit si dhe disa fshatra të komunës së Medvegjes, t’i bashkëngjiten Kosovës. Po ashtu, sipas disa përfoljeve, disa shkrimeve dhe paraqitjeve edhe hartografike, si dhe disa spekulimeve në opinion, qytetet e Mitrovicës dhe të Bujanovcit, thuhet se do të jenë nën administrim ndërkombëtar shumëpalësh. Kjo, është një pyetje komplekse të cilën duhet shqyrtuar në përmasa të gjera, shqyrtimi i së cilës ishte dashur të bëhej përmes një debati të gjerë komplementar politik, akademik, shkencor etj. Megjithatë, edhe pse ende nuk ka një qartësi të vërtetë të asaj se si do të zgjidhet kufiri mes Kosovës dhe Serbisë, ne po analizojmë disa procese të mëpastajshme, të cilat, mund të vijnë si të detyruara në aspektet diplomatike e ndërkombëtare, e të shtyra nga qendra vendimmarrëse ndërkombëtare!
Çfarë fiton dhe çfarë humb Kosova sipas parimeve diplomatike? Nëse, për shembull, funksionon si zgjidhje versioni i shkëmbimit të territoreve dhe tri komunat serbe në veri kalojnë në Serbi, mund të konstatojmë se do të zvogëlohet dukshëm ndikimi serb në Kosovë. Bashkimi i popullatës shqiptare nga Lugina do ta rrisë numrin e banorëve shqiptarë të Kosovës dhe do ta zvogëlojë numrin e banorëve serbë. Pra, nga kjo del që përqindja e popullatës serbe në Kosovë do të bie ndjeshëm, aq ndjeshëm sa që serbët si komunitet nuk do të kenë më asnjë lloj ndikimi në politikën kosovare. E parë në versionin bardh e zi, Kosova do të fitonte në çdo aspekt politik dhe, do të lirohej nga ndikimet e Serbisë në Kosovë, ngase dihet që pa popullatë në një territor të caktuar, nuk mund të ketë asnjë lloj ndikimi politik dhe më gjerë. Por, a mund të jetë ky një version i mirë dhe i pranueshëm edhe për Serbinë?
Versioni “bardh e zi”, a i konvenon Serbisë?
S’ka dyshim që Serbia e humb ndikimin e saj demografik, politik, madje edhe kulturor, gjuhësor etj., nga Kosova po qe se ajo i merr tri komunat veriore me shumice serbe. Mirëpo, në planin ekonomik, nëse ajo që është përfolur deri më tani është e saktë, nga gjiganti minerar “Trepça”, Serbia mund të përfitojë si shpërblim 35% nga pasuritë e saj. Pra, nuk është se Serbia po humb, siç ka thënë disa herë Vuçiqi, diçka “po fitohet”!
Kështu, mes Kosovës dhe Serbisë, arrihet një konsensus pazari që në publik, duket si një marrëveshje “win-win”, e përafërt me aspiratat e palëve në dialog. Por, unë mendoj që në aspektin e synimeve rajonale, pra të aspiratave të Beogradit për t’u pozicionuar në të ardhmen, nuk qëndron si arsye pajtimi i tij me Kosovën. “Arritja” e paqes së Serbisë me Kosovën, ka edhe synime apo kapje të tjera mundshme! Shtrohet pyetja se cila vallë, është arsyeja tjetër që e shtynë Serbinë të pajtohet me versionin e shkëmbimit të territorit me Kosovën? Patjetër, duhet t’i kthehemi historisë së viteve të 90-ta, dhe luftërave në rajonin e Ish-Jugosllavisë dhe çështjes se cili është qëndrimi i SHBA-së ndaj kësaj marrëveshjeje eventuale?
A janë pro, apo kundër një marrëveshjeje të tillë? Ne kemi parë që politikanët e rëndësishëm të Shtëpisë së Bardhë, siç ka qenë për shembull Boltoni, i cili edhe pse ka qenë kundër pavarësisë se Kosovës, pra e ka kundërshtuar fare pavarësinë tonë, sa ishte këshilltar i presidentit Trump, ishte pro marrëveshje Kosovë – Serbi, duke aluduar në faktin që nëse palët pajtohen, “ne” e pranojmë atë marrëveshje!
Në fakt, ky parim diplomatik duket sikur gjithçka është në rregull, pra “nëse palët do të merreshin vesh”, madje duket edhe si parim xhentëlmen! Ky qëndrim i ish-zyrtarit amerikan Bolton, a i prekë interesat amerikane në Evropë, a i favorizon apo i lëndon këto interesa amerikane ? Madje, a mos i rrezikon jashtëzakonisht shumë?!
Disa, do të thoshin se marrëveshja e paqes Kosovë – Serbi, e favorizon dhe e proklamon paqen në botë si një arritje e madhe! Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si shtytësit kryesorë dhe garantues të kësaj paqeje, do të fitonin përfundimisht epitetin si shteti që zgjidh kriza botërore, që këputë me sens paqësor nyjet e ngatërruara të paqes. Ky është versioni bardh e zi i diplomacisë, në këtë rast, i “fotografisë” së zgjidhjes eventuale të këtij problemi përmes shkëmbimit territorial.
Mirëpo, nuk është ashtu nëse i vëzhgojmë pak më thellë qëllimet e Serbisë, aspiratat e saj hegjemoniste. Unë mendoj që në dimensionin rajonal, si këmbim për paqen me Kosovën, fshihen hapat strategjikë konspirativ për të përfituar nga kjo paqe, dy a trefish më shumë se sa që duket në shikim të parë.
Ku qëndron taktika serbe, ku fshihet strategjia serbe për përfitime të gjera dhe jo vetëm në raport me Kosovën?
1. Me pranimin e shkëmbimeve territoriale, prishet parimi i Badinderit për republikat e ish-Jugosllavisë, sipas të cilit, nuk ka ndryshime te kufijve.
2. Nëse, do të prekeshin kufijtë Kosovë – Serbi, ky parim do të prishej. Serbia, në një të ardhme të afërt, do të kërkojë të bashkohet me Republikën Serbe të Bosnjës. Prishja e parimeve të Banditerit, tash për tash mund të shkaktojë probleme rajonale, pra, efekte domino! Kjo, është në kundërshtim të madh edhe me parimet dhe me politikat e Bashkimit Evropian. Tash për tash, bazuar në rrjedhën e historisë, një Serbi e madhe e zgjeruar territorialisht, paraqet rrezik të serishëm jo vetëm për Kosovën por për gjithë rajonin. E kjo gjë, pavarësisht nga dëshirat dhe vullnetet kudo, pra në rajon e më gjerë, bie ndesh edhe me politikën amerikane për Ballkanin: një Serbi e madhe, do të jetë një terren i përshtatshëm për rritjen e ndikimit të Rusinë në Ballkan, madje nesër, edhe rritjen e ndikimit të Kinës dhe të Indisë.
Forcimi, dhe sidomos zgjerimi territorial i Serbisë nuk duhet lejuar me asnjë çmim në rrethanat kur nuk ka një kundër-baraspeshe, dhe mbi të gjitha, kur Serbia në vend se të kthehej ne një “ishull” paqësor pas gjithë luftërave të shkaktuara prej saj gjatë shekullit XX -të, ajo po armatoset gjithnjë e më shumë. Me të drejtë, do të shtrohej pyetja se herdokur do të ndodhë shkatërrimi i Bosnje-Hercegovinës dhe se Serbia do të bashkohet me Republikën Serbe. E po ashtu, edhe Kosova mund të bashkohet me Shqipërinë si baraspeshë. Por, kjo nuk është e mjaftueshme! Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet t’i forcojnë aleatet e tyre historik-shqiptarët, me më shumë territor në mënyrë që shqiptarët, të jenë më të fortë politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Territoret shqiptare vazhdojnë të jene të ndara në disa shtete ballkanike, ndonëse këto territore kanë një kontinuitet etnik dhe natyror të pashkëputshëm.
Mendoj që politikat evropiane janë pro shkëmbimit të territoreve, ani pse shtetet evropiane individualisht e kundërshtojnë këtë. Ky qëndrim i politikave evropiane, po shihet qartë dhe kjo e dëmton paqen rajonale. Pse politikat evropiane janë të këtilla, pra disi e favorizojnë Beogradin historikisht ?
Kjo po ndodh për ta përfunduar projektin afatgjatë të shkatërrimit të Bosnjës dhe humbjen e shtetit mysliman të Bosnjes. Si kundërvënje, projekt tjetër për administratën amerikane, mund të ishte edhe një konfederatë e madhe mes shteteve: Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë, dhe Kosovën së bashku me Sanxhakun që do të shërbente si lidhje edhe për Bosnjën myslimane brenda kësaj konfederate, duke krijuar baraspeshën e nevojshme për të mos lejuar ndikimin rus në Adriatik. Po presidentëve Trump-Thaçi-Vuçiq, a ju konvenon kjo politikë për variantin e propozuar nga tandemi Thaçi-Vuçiq? Për presidentin Trump dhe presidentin Thaçi, kjo bie ndesh me politikat e shteteve të tyre, ndërsa për presidentin Vuçiq nuk ka asgjë antikombëtare, por gjithçka është në politikën shtetërore të menduar dhe analizuar shumë mirë për të përfituar shteti i Serbisë.
Presidentët Trump/Thaçi, do të fitonin karriget e pushtetit të tyre por, do të shkatërronin interesat kombëtare të shteteve të tyre. Kosova, duhet të insistoje që të bashkëngjitet edhe me Sanxhakun në këtë transfer territoresh dhe të sigurohet nga administrata amerikane që të mbështeten ambiciet shqiptare në rajon, duke nisur nga Maqedonia e deri ne Çamëri. Po ashtu, të balancojë raportet shqiptaro-serbe për të siguruar paqe dhe prosperitet afatgjatë në rajon.
Prandaj, në fund të kësaj analize, konstatoj që parimi më i mirë aktualisht, do të ishte që gjatë këtij viti Serbia dhe Kosova ta njihnin njëra- tjetrën në kufijtë aktual, dhe më pas, të mendohet me “kokë të ftohur” për ndryshme eventuale territoriale.