Nga: Sabit Rrustemi
RRETH TRILOGJISË POETIKE TË ANTON NIKË BERISHËS
{ Për tri vëllimet më të shquara të Anton Nikë Berishës, PRUSHI I BUKURISË ( 2014), SYTË E HESHTJES (2017) dhe HIRE TË VETMISË (2021) }
Anton Nikë Berisha, një figurë e ndritshme në botën e artit letrar, gjatë veprimtarisë së vijueshme krijuese, qoftë ajo në prozë, në studime të letërsisë gojore dhe të letërsisë së shkruar në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar, nga libri i parë i botuar e deri në ditët e sotshme, nuk është ndarë nga poezia, qoftë duke e lexuar, përzgjedhur e vlerësuar apo dhe duke e shkruar.
Mbetur pak mbase nën hijen e romaneve, apo të një serie të gjatë veprash studimore, rrallë është cilësuar si poet, edhe pse është nga më të mirët në poezinë tonë bashkëkohore.
Ai prapë ka gjetur kohë, brenda shumë orëve që i plakë çdo ditë te Tryeza e punës dhe ka shkruar, ka hedhur në letër vargënime të reja poetike, të cilave u është kthyer me dhjetëra herë, derisa fatmirësisht iu ka dukur se ka krijuar variantin më të mirë të mundshëm, duke mos besuar sërish se, e ka gjetur atë që synon, përkryerjen. Pikërisht pse e mëton variantin e përkryer, veprave të tija, në prozë e në poezi, u rikthehet për të satën here, i përpunon dhe pas botimit të parë, të dytë apo dhe të tretë.
Rezultat i një pune kaq ngulmuese në fushën e letërsisë e, pra dhe të poezisë, shprehet veçmas te tri veprat e tij më të shquara poetike: PRUSHI I BUKURISË, (2014), SYTË E HESHTJES (2017) dhe HIRE TË VETMISË (2021).
Fillimisht kjo nis me “Përsiatje poetike për artin e fjalës”, prej nga më pas krijohet PRUSHI I BUKURISË (2012 – 2014), vepër që u botua, në dy gjuhë: shqip dhe italisht në Kozencë të Italisë, ku autori mbi dy dekada punoi në Universitetin e Kalabrisë, ku gjallojnë arbëreshët e Italisë më se gjashtë shekuj.
I gjendur në një vend me traditë të gjatë letrare, si vendlindje e Dante Aligerit, Françesko Petrarkës e Jeronim De Radës, shkrimtarë e studiues letrash vunë re vlerat e mirëfillta të një poeme e cila vinte sa me tone poetike, aq edhe filozofike e mitike, deri në mahnitje thuaja dhe, rrodhën nëpër periodikun letrar me dhjetëra vlerësimesh e shkrimesh, të cilat shpërfaqen një botë tjetër që e kishim parë apo njohur më pak nga ky personalitet i shquar i letërsisë.
Deri më sot (në këtë moshën time që kam), letërsia jonë bashkëkohore nuk besoj ta ketë ndonjë vepër më të vlerësuar në fushën e poezisë se sa PRUSHI I BUKURISË dhe prapë, Anton Nikë Berisha nuk cilësohet në rrethet tona letrare me një zë pakëz më të fuqishëm “edhe si poet”.
Kjo nuk e brengosi e as që po i bëhet brengë as tash. Madje mund të mos e ketë menduar asnjëherë këtë që sapo e thashë (shkrova ) unë.
Çka kishte për të thënë për bukurinë e la të PRUSHI që ne ende e mbajmë nëpër duar dhe, i frymëzuar nga shembulli dhe veçmas LUTJET e Nënës sonë të Shenjtë – Nënës Tereze, në vitin 2017 përmes Shtëpisë botuese ARGETA të Tiranës solli SYTË E HESHTJES, një thesar tjetër letrar poetik.
Në tridhjetetri variante poetike të një poeme eseistike, Anton Nikë Berisha nxori poetikisht tridhjetetri shpalime – përsiatje për heshtjen, duke dëshmuar jo vetëm një përkushtim të thellë e njohje thuaja shteruese të botës humane dhe shpirtërore të nobelistes sonë, po edhe të artit poetik, falë dhe përvojës profesionale, jetësore e akademike, e cila me një formë tjetër e me frymën e ngrohtë dhe të dashur poetike, përthekohet e futet brenda kopertinave të librit, për të vazhduar rrugëtimin drejtë lexuesit, ku e priti i njëjti fat, si PRUSHIN E BUKURISË.
Tash, pas dy librave me përsiatje poetike, që janë njëkohësisht meditime të thella letrare filozofike, qoftë për artin e fjalës, për bukurinë e vashës, ose për artin e heshtjes, parë e shkruar në shumë variante, me dallime në strukturim, meqë PRUSHI … shkruhet përmes një soneti të bardhë në 14 njësi poetike dhe ia vë majën përmes akrostikut në sonetin e 15-të, SYTË e HESHTJES ruajnë strukturën e 14 –të vargëshit pa rimë, “braktisin” kurorën sonetike dhe e zgjasin rrugën deri te numri 33 apo, “kohë që jetoi Jezusi”, ku njësia e fundit poetike e përmbyll këtë përsiatje aq tërheqëse, duke i lënë përjetë në duart e lexuesit (lexo, edhe studiuesit) 33 pamje – përsiatje për heshtjen, ku secila ka veçantinë përballë tjetrës dhe, vështirë e ke të përcaktohesh se, cila është më e qëlluar, mbase edhe nga shkaku se, secili është ndryshe nga tjetri edhe pse bëhet fjalë vetëm për një dukuri, HESHTJEN, e cila do të na intrigojë edhe më tutje, ngase është e pakufi.
DHJETËVJETËSHIN e një përkushtimi kaq thellues në fushën e poezisë, qoftë për artin e fjalës apo artin e së bukurës, qoftë për heshtjen së cilës, sado që e gërmojmë nuk ia prekim fundin, domosdo që do duhej përmbyllur dhe me një DUKURI, gjithashtu shumë të përfolur, shkruar e bashkëbiseduar nëpër kohë – VETMINË, një “këmishë” e jona kjo e padukshme që na mbështjell trupin e veten tonë, njëjtë si vdekja.
Janë HIRE TË VETMISË, ato që i japin kuptim një trilogjie që u krijua thuaja nga rastësia dhe e përmbyllin këtë projekt të pashkruar letrar në vitin 2021, po përmes Shtëpisë botuese ARGETA të Tiranës, duke krijuar kështu, përmes një trinomi “bukuri – heshtje – vetmi “, (trinom që i ka trazuar në vazhdimësi shkrimtarët dhe njerëzimin), TRILOGJINË E PARË POETIKE NË POEZINË SHQIPE.
HIRE TË VETMISË dallon për nga forma, edhe nga PRUSHI I BUKURISË, edhe nga SYTË E HESHTJES. Në të “tejkalohet” dhe numri 33 duke u përmbyllur me një akrostik, ( sonet përmbyllës) jo me vargje të njësive poetike, po me vargje të reja sipas vetë titullit të librit, në numrin 36.
Sonetet e Anton Nikë Berishës në HIRE TË VETMISË, ruajnë formën klasike të sonetit, me dy strofa katërvargëshe e dy trivargëshe por, jo edhe rimën e vargjeve.
Ato i përbashkon ritmika e vetë vargjeve si dhe emri dhe fryma e njëjtë poetike që është meritë e autorit, e domosdo, edhe pjesë a atyre veprave tona që do të kohojnë nëpër shekuj.
Për ta përmbyllur këtë qasje, rreth kësaj TRILOGJIE POETIKE, e them pa drojë, nëse kemi mëtuar dhe, kemi dëshiruar një poezi elitare në letërsinë shqipe, qe ku e kemi dhe le ta pranojmë këtë fakt me shumë dashamirësi. Madje, nuk kemi arsye as të frikësohemi se këtë lloj poezie e ka të vështirë ta kapërdijë lexuesi i rëndomtë. Përkundrazi, vlerat e arrira letrare – elitare, ndikojnë dhe në vetë lexuesin dhe, në rritjen e kërkesave të tija artistike. Sepse, poezia elitare e dikton dhe gradualisht e gjen lexuesin elitar, atë lexues që i njeh dhe mirëpret këto vlera, e për të cilat, dihet, më meritori, prapë mbetet autori. Në këtë rast, Anton Nikë Berisha.
P.s
Për ta dokumentuar mendimin tim të mësipërm apo përmbyllës rreth kësaj TRILOGJIE VEPRASH POETIKE, po i sjell dhe tre shembuj, apo më mirë, nga një shembull prej secilës vepër.
Lexim të këndshëm e të pasosur…
I. Nga PRUSHI I BUKURISË
( Akrostihu përmbyllës )
Përtej harrimit e pate djepin – Bukuri,
Reshje e buzëqeshur në ndërrim të stinëve;
Uturimë e përndritur je, vel i prushtë,
Shpalosje e erës je që erën e përfill;
Idhujtare lozonjare që s’di të shuar.
Inxhi lashtësore që nuk zhbëhesh asnjëherë,
Besnike e devotshme që nuk njeh ndalesë
Udhërrëfyese je që bukurinë e mbëlton,
Këndellje e mirëfilltë dhe zë i bekuar,
Ujëvarë hareje që gjithkah përhapesh;
Ripërtëritje je e këmbimit të ditëve,
Ishe e je paanësia e përsiatjeve,
Sy i etur brenda dridhmave të zemrës –
Ëndërr e përkëdhelur me bardhësi t’krahnezës.
Kozencë – Prishtinë 2012 – 2014
Nga SYTË E HESHTJES
Heshtja është të folurit pa zë,
pa tingull, pa zhurmë, pa lëvizje,
mbushullimë fjalësh që të flasin
me gjuhën e shenjave, me pamje, me simbole,
që i ndien brenda vetes, në qetësi
kur ta përshkojnë mendjen ose zemrën
e nuk rreshtin edhe kur nuk e hap gojën […]
Heshtje është vetëpërmbajtja:
t’i matësh fjalët, mendimet t’i peshosh,
ta mbëltosh durimin në secilin veprim,
edhe kur të ndizet e të tundet shpirti
Nga HIRE TË VETMISË
(Soneti përmbyllës)
Ti je lumë i flakësimit ngjizur në shpirt që
I jep hir atij, po dhe me heshtje e tundon,
Jehonë dallgësh që e shtojnë trazimin –
Edhe zjarrvënës i vegimeve të përhitura;
Herë etje e pashuar, herë shakullinë gjakimi,
Idhshëm e zgjon, po dhe e prapëson epshin;
Rishtare përpëlitjesh të prushta dyshimesh,
Dremitje shumëngjyrëshe të natës, ku përmes
Amshimit shtegton në lumenjtë e ndjenjësimit
Shushuritje shpirtësie si ëndërr dridhmitare
Uturimë e të cilave dhe të lëron nën lëkurë;
Rënkim i këngshëm mbytur në mallëngjim;
Ishe e mbete mbretëreshë e pësimeve, vuajtjeve
Ethesjellëse që mund të tejkalojë përplasjen e valëve.