Anton Nikë Berisha
RRETH TRI TREGIMEVE POETIKISHT TË NGRITURA TË NEXHAT REXHËS
Studiuesi i vëmendshëm i teksteve të tregimeve të Nexhat Rexhës, të përfshira në vëllimin “Sytë e përgjimit” (2020), do të mund t’i bënte vërejtje autorin për ndonjë fjali pa shtjellim të duhur sintaksor, për ndonjë përsëritje të panevojshme të fjalëve, për përdorimin e fjalëve të huaja, për disa gabime të radhitjes së tekstit, për rrafshin e ndryshëm të cilësisë poetike të tregimeve të përfshira në këtë libër, po nuk mund të mos thekojë se tregimet “Kur bardhësia kafshon veten”, “Mëngjesi në sytë e buzëmbrëmjes” dhe “Pritja e purpurt” dëshmojnë vlera të lartësuara të të shprehurit poetik dhe të së ndikimit estetik. Derisa tek disa tregime vërehet synim i autorit të qartësojë atë që thotë në krijesën e vet, pra i kushton rëndësi asaj çka thotë (sidomos në tregimet që vështron luftën dhe pasojat e saj), në këto tri tregime çdo gjë i nënshtrohet parimit tjetër: si thuhet, përkatësisht si të shqiptohen dukuritë sa më poetikisht. Pra, tekstet e këtyre tri tregimeve cilësohen me shumësi kuptimore, herë – here të pafund. Në to Nexhat Rexha ka zbatuar një gjuhë poetike te pasur, një sistem të shprehurit poetik që ngrihet mbi të gjithë përbërësit e tjerë. Të shprehurit poetik përligjet përmes një sistemi të pasur; pjesët janë të shumta dhe shkojnë duke e plotësuar njëra – tjetrën dhe shndërrohen natyrshëm në tërësi që e përcaktojnë vlerën poetike të lartësuar e të mirëfilltë. Edhe objekti poeti që trajtohet më shumë është një mozaik çështjesh sesa një dukuri e veçantë dhe e ndarë.
Në hartimin e teksteve të këtyre tri tregimeve Nexhat Rexha ka përdorur një gjuhë figurative, simbolike e metaforike, që thonë se duhet ta cilësojë tekstin e poezisë, përkatësisht të vargut. Me fjale të tjera, Nexhati i është përmbajtur vlerësimit të shkrimtarit të shquar frëng, Gustav Flober, i cili duke folur për afrinë e prozës me poezinë, thoshte: “Sa gjë e vështirë është proza. Kurrë nuk është e gatshme, gjithmonë mbetet diçka për t’u përpunuar. Prapë mendoj se mund t’i jepet fuqia e vargut. Fjalia e mirë në prozë duhet të jetë si ndonjë varg i mirë, e pandë¬rrueshme, po ashtu ritmike, po ashtu tingëlluese”.
Pra, në këto tri krijesa e pazakonshmja bëhet e zakonshme, e padukshme bëhet e dukshme dhe e largëta afrohet. Në hartimin e tekstit poetik të kësaj natyre, kundërvënia dhe paradoksi bëhen qenësi të rrëfimit. Me pak fjalë, zhbëhet mënyra e të shprehurit tradicional të objektit poetik; mëdyshja dhe kontrastikja jo vetëm nxitin përsiatje të pasura e ndonjëherë të pafund, po dhe ndikimi estetik bëhet më i madh dhe i shumëfishtë.
Për ta dëshmuar këtë që thashë, po sjell tri pjesë nga tri tregimet e përmendura. I veçova hyrjet e tyre për të parë synimin e autorit që në fillim të tyre, të përligj qasjen e veçantë, të shprehurit dhe gjuhën poetike të pasur.
“Kjo ditë, me diellin e bardhë, sa e ftohtë, sa më mungojnë ata sy. Më mungojnë rrezet e ngrohta, që i dua si veten. Heshtja më vret. Ata sy, sa shumë depërtojnë në mungesën e ëndrrës së pritur për një bashkim të brigjeve të thata. Kjo botë, sa e afërt e sa e largët në këtë oazë. Kjo bardhësi, sa shumë ia ka ndaluar fluturës fluturimin e lirë […[ Hija e buzëqeshjes së shumëpritur rritet e rritet me mungesën e kësaj vonese. Frymëmarrja e kësaj stine po depërton nëpër portat e ngujuara. Hidh hapin drejt qiellit të lirë, merri nën sqetull ngjyrat e ylberit dhe kalëro me Pegazin nëpër ëndrrën e lirë.
Eja bashkë me erën flladitëse të ditës së munguar. Eja me buzëqeshjen krahëhapur nëpër udhën e shtruar me lirin e zemrës. Shtegto brigjeve të pashkelura, se atje mund të takosh ëndrrën e pritjes.”
(Nga “Kur bardhësia kafshon veten”)
“Nuk di, ishte muzgu i asaj buzëmbrëmje apo mëngjesi i një dite që do të vinte. Atë kohë syri depërtonte deri në thellësi të pritjeve të munguara. Po kush ishte ajo që ëndërronte, nuk e prisja se po vinte vetë e dyta, porse edhe unë isha vetë i dytë. E po krejt ndryshe i kishim thurur vetes kurorën e një dite me aromën e shijeve tona. Syri mashtrues i një kohe kaploi vëngër trishtimin e kësaj stine me virusin e përbotshëm. Në trevën e Oazës vetullat mrrolshëm kishin vënë vellon e atyre ditëve. Sikur zjarri kur përfshin një krahinë malesh në tërësi. Dhe nga zjarrmia lotët nuk mund të krijojnë lagështi në trupin tonë, por vetëm avullonin zjarrminë e brendshme të trupit, që digjej dhe as nuk mund të fliste.
Po si ndodhi që ylli i ëndrrave të gjata të shkrihej në fjalën e takimit të Orfeut me puthjen e Euridikës”.
(Nga “Mëngjesi në sytë e buzëmbrëmjes”)
“Kushedi pse koha mund çdo mundim të saj, që vjen nga brendia. Që sa kohë flisnim për ëndrrën që trazon fijen e flokut të kësaj pranvere. Në këto rrokullisje mendimesh, vjen aromë e lumturisë në çdo mëngjes, kur vjen drita në dhomën me shikim nga dielli, sikur rrezet e diellit shkëlqejnë deri në shtratin tonë. Aty sikur vjen Edgar Ellan Poe me “Korbin” pranë dritares, ku gjithnjë sytë takohen me magjinë e ditës së parë. Ajo erdhi si Zanë mali, me lule në dorë, dhe kishte të veshur fustanin me ngjyrë të purpurt, edhe fytyra e saj ishte bërë all. Hyri në shtratin e ndjenjave të mia, ashtu e ndrojtur, si asnjëherë më parë, nuk e kisha vërejtur kështu si këtë herë. E afrova pranë vetes në përqafim, ishte bërë akull në faqe dhe duart i kishte të ngrira. Po sytë i shkëlqenin plot dashuri e jetë. Po si erdhe në këtë kohë, unë nuk të prisja, vetëm ëndërroja fijen e flokut tënd. Nuk di as vetë si kam ardhur dhe nga cila rrugë kam trupuar. Po kishe frikë gjatë ecjes në errësirë?”
(Nga “Pritja e purpurt”)
Këto tri pjesë të përmendura, po dhe tri tregimet e përmendura në tërësi, janë e kundërta e prozave që janë të ngarkuara e fjalë e me shprehje të mëdha e plot ndjenjësim, të mbytura në retorikë, po që lavdërohen e shpërblehen për shkak të miqësisë e të interesave të ndryshme, po që janë të gjykuara të vdesin sa të bien në dorën e lexuesit të mirëfilltë. /2LONLINE.com/